115 milionë euro më pak të hyra nga Dogana për shkak të pandemisë
115 milionë euro apo 11 për qind më pak janë mbledhur nga Dogana e Kosovës që nga fillimi i vitit 2020. Derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, Dogana ka arritur t’i mbledh 972 milionë euro
Ndonëse në fillim të këtij viti, performanca e të hyrave ishte i kënaqshëm, rënia e të hyrave filloi nga konfirmimi i rasteve të para me Covid-19.
Por këto të hyra, sipas zëdhënësit të Doganës, Adriatik Stavileci, kanë filluar të përmirësohen muajt e fundit, ku sipas tij ka një rritje graduale dhe kthim nga normaliteti.
“Nëse shikohen të hyrat prej fillimit të vitit e deri në fund të tetorit, kemi vërejtur që fillimi i vitit ka qenë mjaftë i mirë në performancen e të hyrave por për shkak të pandemisë dhe uljes së konsumit ditor dhe rënies së çmimeve të ndryshme, kemi parë ngadalësim të të hyrave në këtë vit”, ka thënë ai.
“Nëse shikohet në aspektin e përqindjes, javëve të fundit ka filluar të përmirësohet të hyrat dhe ka filluar që të kemi një rritje graduale dhe kthim të lakores së normale e mbledhjes së të hyrave. Në aspektin statistikor nëse në vitin 2019 kemi pasur 972 milionë euro të mbledhura deri më sot, atëherë këtë vit kemi 857 milionë euro, pra rreth 115 milionë euro më pak të hyra apo 11 për qind se vitin e kaluar”, ka deklaruar Stavileci,
E kjo situatë me pandeminë, sipas Stavilecit ka mundur të prodhoj edhe skenarë më të keq, ku sipas tij, të hyrat kanë mundur të dëmtohen më shumë.
Stavileci për Ekonomia Online ka thënë se kanë hyrë në një fazë të rikuperimit të të hyrave, e që nuk kanë mundur të mblidhen në kulminacionit të pandemisë
“Besoj që ka pasur skenarë që të hyrat kanë mundur të dëmtohen më shumë, por sidoqoftë performanca e të hyrave është e lidhur direkt me performancën e gjithëmbarshme të ekonomisë së Kosovës, për shkak se lidhet me tregtinë ndërkombëtare dhe me të gjitha aspektet, në momentin e ngadalësimit të tregtisë ndërkombëtare, normalisht se edhe ne kemi pasur pritje që të kemi rënie të të hyrave, por rënia në një periudhë të caktuar ka kaluar deri në 130 milionë më pak, derisa tani jemi prapë kemi hyrë në atë fazën që jemi duke e rikuperuar këto të hyra të cilët nuk kanë arritur t’i mblidhen në kulminacionit të pandemisë”, ka thënë ai.
Teksa ka folur për të hyrat nga Dogana, zëdhënësi i këtij institucioni ka thënë se deri në fund të këtij viti synojnë t’i mbledhin edhe 200 milionë euro, për ta arritur cakun e mbledhjes së 1 miliard eurove.
“Ne presim që brenda këtyre muajve që kanë mbetur deri në përfundim të vitit tentojmë t’i mbledhim edhe më shumë se 200 milionë euro deri në përfundim të vitit, që me këto 200 milionë euro ta tejkalojmë cakun që e kishim mbi 1 miliard euro të mbledhura për buxhetin e shtetit, por siç duket është vështirë për shkak të situatës me pandeminë ndikon në performancën e të hyrave”, ka thënë Stavileci.