14 raste të “kollës së mirë” sivjet, IKSHP del me një thirrje për prindërit
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u ka bërë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët kundër Kollës së mirë.
IKSHP ka njoftuar se gjatë këtij viti janë regjistruar 14 raste të reja, kryesisht te moshat e reja, që paraqet një rritje të lehtë krahasuar me vitet paraprake.
Pertusis që ndryshe njihet edhe si Kolla e mirë, është një sëmundje ngjitëse bakteriale që përfshin traktin e frymëmarrjes. Shkaktohet nga bakteria Bordetella pertussis që gjendet në gojën, hundën dhe fytin e personit të infektuar.
Kjo sëmundje ngjitëse mund të shfaqet në çdo moshë, por më shpesh i prek fëmijët dhe adoleshentët. Më të rrezikuar janë fëmijët nën moshën 1 vjeçare.
Sëmundja përhapet lehtësisht nga personi në person, kryesisht përmes pikave/spërklave nga kollitja ose teshtitja e personit të infektuar.
Simptomat zakonisht shfaqen 7 deri në 10 ditë pas infektimit, por mund të shfaqen edhe deri në 21 ditë më vonë. Fillimisht, simptomat ngjajnë me ato të një ftohjeje të zakonshme, duke përfshirë teshtitjen, rrjedhjen e hundës, temperaturë të ulët dhe një kollë të lehtë.
Komplikimet më të shpeshta sidomos te fëmijet e pavaksinuar janë pneumonia dytësore bakteriale, komplikimet neurologjike, infeksioni i veshit të mesëm, dehidrimi, konvulsionet, etj.
“Kujdesi është veçanërisht i rëndësishëm për foshnjat të cilat nuk e kanë ende kohën e marrjes së doizës së parë (foshnjat prej 0-2 muaj), të cilat duhet të mbrohen nga kontaktet me persona të tjerë (nga moshat më të rritura), që mund të jenë bartës të infeksionit pavarësisht nëse kanë shenja apo jo. Mbrojtja më e mirë është parandalimi përmes vaksinimit të foshnjave nga mosha 2 muajshe kur jepet doza e parë kundër Kollës së mire”, thuhet në njoftim.
Në Kosovë vaksinimi kundër Pertusisit bëhet sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit, ku vaksina kundër Pertusisit jepet në moshën 2, 4 dhe 6 muajshe, ndërsa ri-vaksinimi në moshën 18 muajshe.
Ndryshe nga sëmundjet e tjera si variçela, fruthi, etj., Pertusisi mund të shfaqet tek i njëjti person më shumë se një herë gjatë jetës, sepse antitrupat që krijohen pas infeksionit ose vaksinimit bien me kalimin e kohës.
“IKSHPK rithekson se çdo dozë e vaksinës ka rëndësi, sepse e rrit imunitetin dhe i mbron fëmijët nga infeksioni dhe komplikimet e mundshme, prandaj u bën thirrje prindërve që t’i përmbahen me shumë kujdes Kalendarit të rregullt të vaksinimit dhe t’i vaksinojnë fëmijët, sipas orareve të përcaktuara në kalendar”, thuhet në njoftim.