30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit nga Prizreni që kanosi personin zyrtar
Gjykata Themelore në Prizren në një komunikatë për media ka njoftuar se, Departamenti i Përgjithshëm gjyqtari i procedurës– Fatmir Krasniqi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 21.01.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 21.02.2022, ndaj të pandehurit F.H., për shkak të dyshimit të bazuar…
Prizren, 23 janar 2022 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm gjyqtari i procedurës– Fatmir Krasniqi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 21.01.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 21.02.2022, ndaj të pandehurit F.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale kanosja, nga neni 181 par. 3 lidhur me par. 2 të Kodit Penal të Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit F.H., avlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:
– Më datë 21 janar, në orët e mesditës në Prizren, seriozisht e kanos personin zyrtar, i cili ishte në detyrë zyrtare, se do ta privojë nga jeta të dëmtuarin – punëtorin e gjykatës, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ishte në orar të punës në pozitën e dorëzuesit të postës së gjykatës, e takon të pandehurin të cilin e njofton zyrtarisht se djali i tij duhet të paraqitet në gjykatë, për të cilin ka një ftesë, të cilën ftesë ia ofron të pandehurit, mirëpo ky i fundit i revoltuar, fillimisht tenton t’i vërsulet fizikisht, pastaj e ofendon me fjalë fyese dhe pastaj, i drejtohet të dëmtuarit me fjalët kanosëse “kam me ju vra edhe ty edhe gjyqtarët nëse bjen kësi letra”, me ç ’rast të dëmtuarit i shkakton frikë, ankth dhe pasiguri,
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, ku i pandehuri dyshohet se ka kryer formën më të rëndë të kualifikuar pasi që ka kanosur personin zyrtar, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe lidhur me ushtrimin e detyrës zyrtare duke e kanosur me jetë të dëmtuarin.
Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm, pasi që ka vlerësuar edhe karakteristikat personale të të pandehurit i cili sipas të dhënave lidhur me të kaluarën kriminale, rezulton se i njëjti është i përfshirë si kryerës i veprave të ndryshme penale, këto arsyetojnë dyshimin e bazuar se me qëndrimin e të pandehurit në liri, i njëjti mund të përfundoj veprën e kanosur penale, të përsërisë veprën penale të natyrës së njëjtë apo të kryej ndonjë vepër tjetër penale të natyrës edhe më të rëndë.
Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.