30 ditë paraburgim për grabitësin e këmbimores në Prizren
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtari i procedurës – Xheladin Osmani, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 10.09.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 10.10.2021, ndaj të pandehurit F.I., për shkak të dyshimit të bazuar ka kryer veprën penale Grabitja nga neni 317 par. 1 të Kodit Penal të Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:
– Se më datë 10 shtator, në orët e mesditës, në Prizren, në një zyre të këmbimores, i pandehuri F.I., me përdorim të forcës e përvetëson në mënyrë të kundërligjshme pasurinë e luajtshme të personit tjetër – të dëmtuarit (zyrtari të këmbimores), në atë mënyrë që pasi i pandehuri shkon në këmbimore kinse të këmbejë 25.000.oo franga në euro, me ç’rast i dëmtuari i përgatit 22.950.oo euro dhe posa fillon i pandehuri t’i numërojë, e zë të habitur të dëmtuarin, duke u ngritur nga karrige e godet me grusht dhe largohet me vrap me paratë që i ka grabitur në shumë prej 20.000.oo euro.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e veprës penale, dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku se i njëjti mund të fshihet apo të jepet në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, pasi që i pandehuri F.I., nga të dhënat Policore rezulton se dyshohet edhe për një vepër penale të kësaj natyre.
Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë të procedurës është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, me qëllim të mbarëvajtja së procedurës së hetimit, dhe zbardhjes së rastit.
Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prizren.