40 të vdekur e mbi 7 mijë qytetarë u lënduan në aksidente trafiku për gjashtë muaj në Kosovë
Që nga janari e deri në qershor, 40 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku, ndërsa mbi 7 mijë qytetarë kanë pësuar lëndime trupore për gjatë kësaj periudhe kohore.
Policia e Kosovës në një përgjigje për Telegrafin ka bërë të ditur se për gjashtë muaj kanë ndodhur 35 aksidente fatale, ku 40 persona kanë humbur jetën.
Gjatë kësaj, kohe numri i aksidenteve me persona të lënduar është 3 mijë e 782, ku janë lënduar gjithsej 7 mijë e 247 qytetarë.
Kurse, tiketa trafiku janë shqiptuar 309403.
Sa i përket të dhënave për muajin korrik, Policia bëri të ditur se ende nuk kanë numrin e plotë. Por, që vlen të ceket që për gjatë kësaj kohe kanë ndodhur numër i madh i aksidenteve trafiku, ku shumë prej tyre ishin me fatalitet.
Vetëm në 24 orët e fundit, Policia njoftoi se kanë ndodhur 46 aksidente trafiku me persona të lënduar, ndërsa 54 tjerë raportohet të kenë qenë vetëm me dëme materiale.
Policia në vazhdimësi është duke bërë thirrje që qytetarët të respektojnë rregullat e komunikacionit. /Telegrafi