8 muaj pezull konkursi për Stomatolog në Prizren, pse dha dorëheqje kryetarja e komisionit?
Më 3 mars 2022, është hapur konkursi për Stomatolog në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prizren.
Tash e tetë muaj, ky konkurs ende nuk ka përfunduar.
E gjatë këtij rrugëtimi, ka dhënë dorëheqje kryetarja e komisionit, Dashurije Beqaj, së bashku me dy anëtarë të komisionit.
Lidhur me këtë çështje, Gazeta Nacionale ka kontaktuar me Beqajn, për të marrë më tepër informacione.
Ajo ka thënë se dorëheqja e komisionit është bërë për çështje principale.
“Është e padenjë nga unë që tashmë kam dhënë dorëheqje të flas për konkursin, vetëm dua ta potencoj se dorëheqja e gjithë komisionit është për çështje principale”, ka deklaruar Beqaj.
Beqaj, ka treguar se e ka njoftuar drejtoreshën e Shëndetësisë, Burbuqe Berisha dhe kryetarin, Shaqir Totaj për dorëheqjen e saj.
“E vërtetë është se unë kam qenë kryetare e komisionit por që në ndërkohë unë dhe të dy anëtarët e komisionit kemi dhënë dorëheqje dhe për këtë e kemi informuar drejtoreshën e shëndetësisë dhe kryetarin e komunës të cilët tashmë janë përgjegjës për rrjedhën e mëtutjeshme të procesit”, ka thënë Beqaj.
Veç kësaj, Nacionale ka dërguar kërkesë për qasje në dokumente publike te zyra e personelit në Komunën e Prizrenit.
Të njëjtit kanë treguar se konkursi për stomatolog në QMF është në shqyrtim.
“Konkursi në fjalë është në shqyrtim, pasi të shqyrtohen të gjitha shkresat e brendshme, kërkesa për dorëheqje nga kryetarja e komisionit dhe dy anëtarëve të tjerë të komisionit dhe shkresave të zyrtarit ligjor lidhur me anulimin e kësaj procedure, ne në momentin e marrjes së vendimit do të ju njoftojmë rreth kësaj procedure”, thuhet në përgjigjen e komunës.
Fejzë Kabashi, stomatolog nga kjo komunë ka treguar për Gazetën Nacionale, se kishte kandiduar për këtë pozitë.
Kabashi është shprehur se ka kërkuar disa herë llogari nga komuna rreth këtij konkursi, por që nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Jam një nga kandidatët dhe ai që po kërkoj përgjigjeje nga Komuna e s’po marr një të tillë”, është shprehur ai.
Kabashi ka bërë të ditur se të gjithë kandidatët kanë hyrë në test me shkrim më datë 17 qershor të këtij viti, dhe se rezultatet e këtij testimi nuk janë publikuar.
“Nga 17 qershori, e premte ora 10 kur kemi hy në test, askush nga përgjegjësit s’na ka njoftuar në asnjë formë më për rezultat ose fatin e këtij konkursi. Doktoresha Dashurije Beqaj u kanë në Komision si Kryetare sa e kemi kuptuar atë ditë kur u mbajt testi, por nuk më kujtohet që na kanë thanë ata se kush është… Por tash e di saktë që kjo doktoresha e nderuar ka qenë”, ka vazhduar Kabashi.
Gazeta Nacionale ka tentuar disa herë të merr edhe një qëndrim nga kryetari Shaqir Totaj, por deri në publikimin e këtij artikulli i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.