Në Berat u hap ekspozita “Tipologjitë e Objekteve të Trashëgimisë Kulturore të Prizrenit”
Në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim të lidhur ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka hapur ekspozitën e titulluar “Tipologjitë e Objekteve të Trashëgimisë Kulturore të Prizrenit” në qytetin e Beratit.
Përmes fotografive dhe skicave janë prezantuar monumentet më të veçanta të trashëgimisë kulturore të qytetit të Prizrenit, të cilat përshkruajnë evoluimin e trashëgimisë arkitekturore që nga antikiteti e deri tek shtëpitë tradicionale të shekullit XIX-XX.
Në hapje të kësaj ngjarje, Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha, tha se “jam shumë i lumtur që në kuadër të zbatimit të kalendarit të përbashkët kulturor Kosovë – Shqipëri, na u dha mundësia që të bashkëpunojmë me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Beratit, dhe përtej kësaj përmes kësaj ngjarje të përfitojmë nga shkëmbimi i përvojave të ndërsjella.
Ekspozita ’’Tipologjitë e Objekteve të Trashëgimisë Kulturore të Prizrenit’’ është një fillim i mbarë i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve simotra, andaj besoj që në të ardhmen ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tepër në dobi të komunikimit të ndërsjellë”.
Ndërsa Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kuturore në qytetin e Beratit Eugen Kallfani në cilësinë e nikoqirit tha se “ndjehet tejet i lumtur që pret vëllezërit nga Prizreni, andaj ky aktivitet do të sjellë rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e eksperiencave ndërmejt profesionistëve të dy vendeve”.
Kjo ekspozitë do vazhdojë të jetë e hapur për të interesuarit gjatë ditëve në vijim në Qendrën Mesjetare në Berat.