U përkujtua në 24 vjetorin e rënies heroike, dëshmori i parë nga Komuna e Prizrenit dhe ish futbollisti i lirisë, Përparim Thaçi

Të premten, janë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, ku është përkujtuar në 24 vjetorin e rënies, dëshmori i parë i rënë në luftën e UÇK-së në komunën e Prizrenit, ish futbollisti I Lirisë , Përparim Thaçi.

24 vite të plota u mbushen sot,  nga rënia e dëshmorit të parë në komunën e Prizrenit, Përparim Thaçi, i cili në këtë ditë po kujtohet me dhembje por edhe krenari nga familja, thotë vëllau i tij i vetëm, Edoni.

Homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, përveç familjarëve, kanë bërë edhe bashkëluftëtarë e miq të heroit, Përparim Thaçi, nënkryetari i Prizrenit, Kujtim Gashi ish sportistë, lojtarë dhe anëtarë të KF “ Liria” dhe të tjerë,.

Nënkryetari, Kujtim Gashi, tha se sakrifica e dëshmorëve sikurse ishte ajo e Përparimit, na obligon që me përkushtim të madh të punojmë për të ardhmen e vendit tone.

Bashkëluftëtari i heroit, Selim Morina, e kujton me krenari për veprat jetësore deri në momentin e flijimit të tij për lirinë e Kosovës, djaloshin e sjellëshëm dhe trimin e pashoq, Përparim Thaçi.

Bashkëlojtari i Përparimit dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të FFK-së, Mirsad Çollaku, shpalosi kujtime të një kohe të veçantë me mikun e tij të fëmijërisë, për ëndrrat e tyre pasi në Kosovë të vije liria e shumëpritur.

Pas homazheve në Landovicë, është vizituar edhe vendi i rënies së Përparim Thaçit, ku para 24 vitesh ai u vra nga forcat serbe, ndërmjet fshatrave Bellacërkë e Xërxë, bashkë me dy shokët e luftës, dëshmorët: Feim Gashi dhe Sakip Bellaça, në kohën kur po shkonin në aksion. Përparim Thaçi, ishte edhe një futbollist i dalluar duke bartur me sukses fanelën e klubit të Lirisë së Prizrenit./ Televizioni i Prizrenit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *