Aksident trafiku në Prizren, lëndohet rëndë një person
Një aksident trafiku ka ndodhur dje në orën 15:15 në fshatin Landovicë të Prizrenit, me ç’rast një person ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar në Emergjencën e Spitalit për trajtim, shkruan Gazeta Sinjali.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj, i cili tregoi se i lënduari ishte duke lëvizuar në rrugën Gjakovë-Prizren dhe si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë e ka humbur kontrollin, duke dalë kështu jashtë rrugës.
“Deri te aksidenti kishte ardhur derisa vozitësi me automjetin Audi A6 ngjyrë e Zezë me targa vendore ishte duke lëvizur në rrugën Gjakovë- Prizren dhe me të arritur në fshatin Landovicë si pasojë e vozitjes së pakujdesshme dhe mospërshtatshmerisë së shpejtësisë së lëvizjes humb kontrollin mbi automjetin dhe del jashtë rrugës.
Si pasojë e aksidentit përveç dëmeve materiale të shkaktuara në automjet, vozitësi i automjetit pëson lëndime trupore i cili nga autoambulanca dërgohet në qendrën emergjente të Spitalit të Prizrenit dhe i njëjti pas tretmanit mjekësor lirohet në shtëpi. Rasti po hetohet nga njësia e hetimeve rajonale të komunikacionit rrugor në Prizren”, thuhet në përgjigjen e Osmanollajt për Sinjali.