Për 6 muaj, mbi 900 ankesa për policët, 118 të suspenduar e 90 të arrestuar
Në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, janë shtruar mbi 900 ankesa nga qytetarët në Inspektoratin Policor të Kosovës. Ky institucion gjatë këtij viti ka rekomanduar suspendimin e mbi 100 policëve, ndërkaq mbi 90 janë të arrestuar.
Kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Kushtrim Hodaj, tha se ankesat janë në rritje dhe se kanë të bëjnë me raste të ndryshme.
“Edhe këtë vit ka qenë numër relativisht i lartë, prej 1 janarit deri sot kemi pranuar mbi 900 ankesa, të cilat janë trajtuar dhe po trajtohen në departamentet përkatëse në IPK-së. Janë ankesa për sjellje të ndryshme të policisë, duke filluar prej keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, për keqpërdorim, për marrje të ryshfetit në disa raste, për sjellje të pahijshme, për pakënaqësi në shqiptimin e gjobave në kundërvajtje”, deklaron ai të hënën.
Inspektorati Policor gjatë pjesës së parë të vitit ka zhvilluar edhe operacionin e gjerë të koduar me emrat “Pika 1” dhe “Pika 2”, ku mbi 70 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë arrestuar dhe suspenduar.
“Këtë vit kemi pasur numrin më të madh të rekomandimeve për suspendim dhe të arrestimeve. Për shkak edhe të dy-tri rasteve që i kemi zhvilluar në luftën kundër korrupsionit, raste që lidhen me policët e korruptuar në kufi, në tri pika kufitare. 76 punonjës të policisë janë arrestuar dhe suspenduar vetëm në këto dy raste”, shton ai.
Hodaj tha se tejkalimi i përdorimit të forcës është një prej veprave më të shpeshta në këtë institucion.
“Tejkalimi i përdorimit të forcës apo keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo shkaktimi i lëndimeve ndaj qytetarëve është një prej veprave tipike që ndodhë zakonisht në polici, për shkak se policia është organ i autorizuar të përdor forcën dhe kur kjo tejkalohet, atëherë përbën shkelje dhe vepër penale. Sigurisht që shpesh herë është një vijë e hollë që ndan përdorimin e forcës bazuar në rregullat që ka policia”, shprehet ai. /ksp