Zjarrfikësit në Prizren, mbi 360 intervenime vetëm për shtatë muaj

Brigada e Zjarrfikësve në Komunën e Prizrenit për shtatë muajt e parë të këtij viti ka intervenuar në 357 raste të ndryshme.

Prej tyre, më sfiduese kanë qenë zjarret malore, ndërsa intervenimet më të shpeshta kanë ndodhur në aksidentet e trafikut rrugor. E problemi më i madh gjatë intervenimeve mbeten rrugët e ngushta të qytetit.

Udhëheqësi i ndërrimit në Brigadën e Zjarrfikësve në Komunën e Prizrenit, Fejzullah Berisha thotë se problemin më të madh gjatë realizimit të detyrës e kanë në hyrje të qytetit, nga ana e Suharekës si dhe në dalje të Prizrenit nga Hasi.

“E mbulojmë pjesën e Zhupës, Vrrinit, Hasit dhe Anadrininë. Deri më tani më shumë që kemi pas intervenime, sidomos në muajt e fundit kanë qenë aksidentet e trafikut rrugor. Prizreni, me karakteristikat e veta që dallohet prej qyteteve, janë rrugët e ngushta. Shpeshherë po kemi pengesa gjatë lëvizjes dhe përkundër asaj se qytetarët po bëjnë të pamundurën për me na hap rrugët, prapë po hasim në probleme, sidomos në hyrje të qytetit nga ana e Suharekës, në dalje të Prizrenit nga ana për Has dhe pak po kemi probleme tek rruga në drejtim të Zhurit”, thotë ai.

Më tej, Berisha thotë se disa nga stacionet e kësaj komune janë të gatshme për intervenime, mirëpo nevojitet staf për t’i mbuluar këto të fundit.

“Një shkresë zyrtare na ka ardh nga ana e Agjencionit të menaxhimit të emergjencave se do të rritet niveli i gatishmërisë për shkak të situatës dhe temperaturave të larta. Normalisht janë ndërprerë disa pushime vjetore. Afati kohor i pushimeve vjetore është i kufizuar, d.m.th. brenda dhjetë ditëve çdo punëtor duhet të jetë ose të paraqitet në njësinë e zjarrfikësve për shkak të kushteve të cilat janë kërkuar në kohën e fundit… Dhe mendojmë se duhet ende staf, sidomos për stacionet që i kemi në Zhup, pastaj në stacionin Zhur, dhe një stacion e kemi në Has, Asan Gjonaj e Epërme. Stacionet janë të gatshme, janë të përgatitura, mirëpo vetëm mungon stafi i cili duhet t’i mbulojë ato stacione”, thekson ai.

Sipas tij, shërbimi i zjarrfikësve kërkon pajisje të reja, derisa shton se iu është premtuar një automjet me platformë, për të cilin thotë se është më se i nevojshëm.

“Shërbimi i zjarrfikësve kërkon pajisje të reja duke parë se si po shkon me rrjedhat në botë, normalisht se kemi nevojë për ato automjete. Na është premtuar nga ana e qytetit të vallëzuar me qytetin e Prizrenit që do të na sjellin një automjet platformë e cila është më së e nevojshme për intervenime në ndërtesat e larta që janë në ndërtim e sipër në qytetin e Prizreni”, vijoi Berisha.

Drejtoresha e Emergjencës në këtë Komunë, Ramize Sinanaj-Shala në një përgjigje me shkrim për ka thënë se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, këtë vit janë gjashtë intervenime më shumë.

“Kemi zjarre të natyrave të ndryshme mirëpo aktualisht janë të menaxhueshme. Sigurisht që çdo zjarr i shkaktuar i ka vështirësitë e veta. Nëse e bëjmë krahasimin e intervenimeve të zjarreve për 7 mujorin e parë të vitit 2021 kanë intervenuar në 357 zjarre, ndërsa në 7 mujorin e parë të vitit 2022 kane intervenuar në 363 zjarre, ku gjate vitit 2022 janë shënuar 6 intervenime më shume se ne vitin 2021. Do të veçoja si sfidë zjarret malore në terrene të papërshtatshme”, thuhet në përgjigjen e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *