Prizrenasi i dehur ngreh zhag bashkëshorten e vajzën, dërgohet në mbajtje
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në një familje në Prizren, ku dyshohet se kryefamiljari ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe vajzën e tij.
Mësohet se e gjithë ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e familjes, ku i dyshuari fillimisht e kishte kërcënuar bashkëshorten e tij e më pas e kishte tërhequr zvarrë për flokësh.
Gruaja ka vendosur që të kërkojë ndihmën e Policisë, ku para hetuesve policorë ka deklaruar se viktimë e dhunës ishte edhe vajza e tyre 21-vjeçare. Sipas saj, burri vazhdimisht ushtron dhunë psikike ndaj familjes.
Me të marrë informatën, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast kanë arritur që ta arrestojnë personin e dyshuar dhe ta shoqërojnë atë për intervistim. Në stacion policor ai i është nënshtruar testit të alkoolit, ku ka rezultuar në gjendje të dehur.
Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.