Mulliri në Tabakhane
Mulliri gjendet në kompleksin e“Tabakhanes”, i cili shtrihet në bregun verior të Lumbardhit, në mes të Xhamisë së Ahmed-Beut, Xhamisë së Suziut dhe ndërtesës së Beledijes.
Lagjja e “Tabakhanes”ka marrë këtë emër pasi që aty bëhej përpunimi i lëkurës me të gjitha proceset përkatëse: larja, tharja, ngjyrosja etj.
Pas vërshimeve të nëntorit 1979, Tabakhania pothuajse tërësisht u shkatërrua dhe humbi pamjen e vet karakteristike, kështu që tani kanë mbetur vetëm mulliri dhe depoja e lëkurës.
Mulliri i Tabakhanes është ndërtuar në shek. XVIII. Ka planimetri drejtkëndëshe, të mbuluar me kulm treujor. Hapësira e saj është e ndarë në dy pjesë, ku gjendet dhoma e mullinjxhinjve, dhe hapësira tjetër ku gjenden hyrja, dy gurë për bluarje të drithit, vendi për drithëra të pa bluara, vendi për drithëra të bluara dhe kanali i ujit.
Prej kohës kur është ndërtuar e deri më sot mulliri ka pësuar rinovime të shumta.
Gjatë vërshimeve të vitit 1979 është rrënuar një pjesë a madhe e strukturës së mureve.
Tani nga gjendja origjinale kanë mbetur një pjesë e strukturës së mureve nga guri dhe qerpiçi në pjesën perëndimore dhe jugore.
Mulliri i Tabakhanes është i vetmi mulli aktiv në Prizren, dhe paraqet një dëshmi materiale të mënyrës së përpunimit të miellit në të kaluarën. /Databaza e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës