14 përfitues nga skema e granteve “Mbështetja e ndërmarrësve të rinj/Start-up” në Komunën e Prizrenit
Qytetarët e Komunës së Prizrenit, sidomos të rinjtë, janë të dëshmuar në aspektin inovativ dhe kreativ. Kështu u shpreh sot Kryetari Shaqir Totaj gjatë ceremonisë së ndarjes së granteve për ndërmarrësit e rinj.
Meqë, fillimi i biznesit është sfidë më vete, Komuna e Prizrenit me anë të projektit që implementohet nga Agjencia për Zhvillim Rajonal – Jug, do t’i ndihmojë dhe stimulojë të rinjtë për zbatimin e ideve të tyre të biznesit.
Skema e granteve “Mbështetja e ndërmarrësve të rinj/Start-up në Komunën e Prizrenit” ishte një thirrje për entuziastët e që nga ky konkurs dolën 14 përfitues (11 femra dhe 3 meshkuj), që Kryetari Totaj i priti për t’u uruar sukses në rrugëtimin e tyre biznesor.
Me këto grante ndërmarrësit e rinj do të jenë në gjendje të fillojnë me implementimin e ideve të tyre. Në këtë mënyrë do të krijohen kushte të mira edhe për hapjen e vendeve të reja të punës dhe sigurimin e të ardhurave për të punësuarit.
Kryetari Totaj bëri të ditur se iniciativa të këtilla do të ketë edhe në të ardhmen nga Komuna e Prizrenit, duke i inkurajuar të rinjtë për gjetjen e ideve që mund ta përcaktojnë linjën e jetës së tyre.