Ambasadori i Kosovës në Paris në Panairin ushqimor SIAL 2022
Në Panairin ushqimor, më të madhin në botë SIAL 2022, që është duke u mbajtur në Paris, prodhuesit kosovarë kanë ekspozuar produktet e tyre. Ambasadori i Kosovës në Francë z. Mehdi Halimi, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, iu bëri vizitë prodhuesve kosovarë në panairin e Parisit. Ishin më shumë se dhjetë firma kosovare që merrnin pjesë në panair, shumica e tyre të mbështetura nga KIESA, por edhe aso që merrnin pjesë në mënyrë të pavarur.
Ishte kënaqësi e veçantë, por edhe krenari t’i shohësh afaristët kosovarë, burra e gra, duke marrë pjesë në këtë panair, t’i shohësh produktet kosovare të ekspozuara në hapësirën ku mbi 7000 prodhuesë nga të gjitha anët e botës ekspozojnë produktet e tyre.
Mirësjellja, mirëpritja dhe prezantimi i prodhuesve kosovarë, por edhe produktet e tyre cilësore dhe të veçanta, të ekspozuara me shije e me dinjitet, na mbushën me shpresë se ekonomia kosovare po i lëshon në mënyrë të sigurtë spirancat e veta në tregun e madh evropian dhe botëror.
Bisedat e drejtëpërdrejta me ta, na bënë me dije se nevojitet një komunikim dhe koordinim më i mirë ndërmjet veti, por edhe me shtetin e Kosovës, në mënyrë që shpirti ndërmarrës i afaristëve të Kosovës të bëjë mrekullinë./Ambasada e Republikës së Kosovës në Paris