Rritet dukshëm edhe çmimi i arit në Kosovë
Si në të gjithë sektorët, edhe në atë të arit ka pasur ngritje të çmimit. Kështu, dukshëm ka rënë edhe interesimi për blerje.
Enver Pakashtica – kryetar i Shoqatës së Artarëve të Kosovës në një intervistë për Indeksonline ka shpalosur më shumë detaje rreth kësaj çështje.
Ai thotë se momentalisht çmimi i arit është rritur në 54 mijë euro për kilogram, nga 47 mijë euro sa ka qenë në vitin 2020.
“Në krahasim me çmimet tjera të produkteve esenciale, çmimi i arit ka lëvizje por është një ngritje e përballueshme. Në mars 2020, në fillimin e pandemisë ka qenë 47 mijë euro një kilogram ari. Kurse sot e ke 54, do të thotë 12-13 % rritje. Po ta krahasojmë me metalet tjera, me hekur, plumb, zink, është ngritje, por ngritje e përballueshme”, thotë ai.
Se a pritet të vazhdojë avazi i rritjes edhe më shumë, Pakashtica njofton se çmimi i arit varet nga lëvizjet në bursën ndërkombëtare.
“Në rritjen e çmimit ne nuk kemi fort çasje, kjo është rritje në BERZh, aty caktohet çmimi i arit”, pohon ai.
Pakashtica tutje thekson se shkaku krizës ekonomike, ka rënie të madhe të blerësve të arit.
“Jemi bërë pak të tepruar, duke u ankuar se nuk ka punë e ka punë, jo dobët jo nuk ka fitim. Në krahasim që ari i takon kategorisë së luksit. Ari është mjeti më i mirë për investim. Me kursy. Ka rënie të madhe të blerësve, duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të qytetarëve, ata mezi po ia dalin me produkte esenciale”, thotë Pakashtica.
“Arin e blejnë rinia, ata që fejohen, martohen, më së shumti ata e marrin. Edhe diaspora e blen edhe qytetarët e Kosovës. Mos me kanë diaspora na nuk mundem me ekzistu. Ata e ndihmojnë ahengun, e ndihmojnë familjarin e vet, edhe e ndihmojnë në blerjen e arit. Diasporën e falënderoj, jo vetëm për blerjen e arit, por të gjitha produkteve. Diaspora kontribuon për Kosovën”, thotë tutje ai.