Ndahet nga jeta intelektuali prizrenas, inxhinieri i hidroteknikës, Galip Hoda
Inxhinieri Galip Hoda u lind në vitin 1943 në Prizren. Studimet universitare i përfundoi në vitin 1966 në Universitetin e Beogradit, në Fakultetin e Ndërtimtarisë.
Gjatë viteve 1969-1974, Hoda ishte deputet i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i komisionit kushtetues.
Inxhinieri i shquar prizrenas, gjatë veprimtarisë së tij profesionale ishte pjesëmarrës i shumë projekteve të rëndësishme në Kosovë, sikurse projekti i Liqenit të Radoniqit, projekti i Hidrocentralit të Fierzës dhe projektet tjera.
Galip Hoda ka qenë Drejtor i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizrenit, ndërsa në një periudhë të mëvonshme, ka qenë edhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje publike.
Inxhinieri i Hidroteknikës, me dijen dhe përvojën e tij shumëvjeçare në sektorin e ujërave, në cilësinē e bashkëpunëtorit profesional kontribuoi përmes shumë projekteve edhe në kuadër të UNDP-së, CDF, GTZ, IRC dhe shumë organizatave tjera ndërkombëtare.
Galip Hoda ishte edhe aktivist në sport. Ai ka shërbyer si sekretar gjeneral dhe anëtar i Klubit Futbollistik “Liria”.
I ndjeri ishte një humanist dhe aktivist i madh. Gjatë viteve nëntëdhjetë shquhej për kontributin e tij të dalluar në kuadër të Lëvizjes gjithëpopullore për çlirimin e Kosovës.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet më 7 dhjetor 2022 në orën 12:00 në varrezat e qytetit të Prizrenit.