Paratë falso gjejnë “strehë” në Kosovë, vetëm këtë vit në polici u hapën 707 raste
Paratë falso po qarkullojnë me të madhe në Kosovë. Madje, për shkak të futjes në treg të një sasie të madhe të monedhës metalike falso 2 euro, “Prishtina Parking” u detyrua që më mos ta pranojë nga qytetarët këtë monedhë. Policia e Kosovës ka konfirmuar se nga muaji janar-nëntor 2022 janë hapur 707 raste “falsifikim i parasë”.
Policia nuk ka treguar se cila është bankënota më e falsifikuar në vend, e as shumën e parave të falsifikuara që janë konfiskuar këtë vit, por policia ka konfirmuar se kjo dukuri ishte shqetësuese edhe në vitin që kemi lënë pas.
“Bazuar në të dhënat e policisë, gjatë vitit 2021 janë iniciuar nga policia 866 raste ‘falsifikim i parasë’. Këtë vit (periudha janar-nëntor) janë iniciuar 707 raste (falsifikim i parasë) nga neni 296 i KPK-së”, thuhet në përgjigjen e policisë, dhënë Gazetës Express.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, u bë e ditur se dje një zyrtar i një banke në magjistralen Ferizaj-Prishtinë është ankuar në polici se ka hasur në disa kartëmonedha me vlerë prej 300 € dhe monedha me vlerë prej 190 € që dyshohet të jenë të falsifikuara, të deponuara nga klientë të ndryshëm.
Ky rast është në procedurë hetimore, njoftoi policia.
Gazeta Express raportoi dje se qytetarët që parkojnë automjetet e tyre në parkingjet e “Prishtina Parking” nuk do të mund të paguajnë më me monedhën metalike 2 euro. Ky vendim ka hyrë në fuqi dy ditë më parë dhe sipas Kryeshefit të këtij institucioni Sokol Havolli, vendimi u mor për shkak të qarkullimit të monedhës 2 euro falso që sipas llogaritjeve të tyre “Prishtina Parking” mund të dëmtohet deri në 50 mijë euro në vit.
Ai u shpreh se sasia e parave që nuk ua pranojnë bankat është relativisht e madhe.
“Arsyeja është te falsifikimi, i kemi hap disa raste në polici, i kemi njoftu policinë. Nuk kemi pajisje edhe janë ekstrem të shtrenjta pajisjet për detektim të parave falso dhe ndërmarrja mundet me i i humb 30-40 mijë euro në vit nëse ne vazhdojmë me këtë ritëm sepse sasia e mjeteve që neve nuk na pranojnë bankat është relativisht e madhe”, tha Havolli për Gazetën Express.
Ai tha se si pasojë e parave falso, ndërmarrja mund të dëmtohet deri në 50 mijë euro në vit.
“Mirëpo në këtë fazë për mos me dëmtu ndërmarrjen, me një vlerësim tonin të brendshëm që mundet me shku deri në 50 mijë euro viti jemi detyru me marrë këtë masë që unë e di se i ka problemet e veta edhe kjo”, u shpreh Havolli për Express.
Një ditë më parë Policia e Kosovës njoftoi për shtatë raste të ndryshme ku përmes deponimit dhe pagesave janë gjetur para të falsifikuara.
Një zyrtare e bankës në Prishtinë është ankuar në polici se nga disa klientë janë deponuar 462 euro (monedha metalike), të falsifikuara. Monedhat janë konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar, ka njoftuar policia.
Po ashtu në Prishtinë, një zyrtare e bankës ka informuar se nga klientë të ndryshëm janë deponuar 200€ të falsifikuar. “Kartëmonedhat janë konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e djëshëm të PK-së.
Ndërsa, një qytetar ka raportuar në polici se dy femra kanë paguar në furrë me një kartëmonedhë 50 € e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.