Aktakuzë për fajde, detyrim, dhënie dhe marrje të ryshfetit, keqpërdorim të pozitës zyrtare si dhe mashtrim ndaj 4 personave në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: N.K., I.F., K.G., dhe të pandehurës A.K., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale: “Fajdeja” nga neni 331, “Detyrimi” nga neni 328, “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 dhe “Mashtrimi” nga neni 323, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, i pandehuri N.K., prej marsit të vitit 2018 e në vazhdim e deri në ditën e arrestimit, pranon një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, e duke e ditur gjendjen e rëndë financiare të atij personi, në atë mënyrë që fillimisht e ndihmon të dëmtuarin M.B., nga fshati Zhur- Komuna e Prizrenit, që nga ai t’i largojë kanosjet e fajdexhive dhe e ndihmon të njëjtin për të kontaktuar me zyrtarët policor të krimeve ekonomike. Pasi që të njëjtit fajdexhi procedohen në procedurë penale, kërkon nga i dëmtuari shumën prej gjashtëmijë (6.000) eurove, si dhe kërkon që i dëmtuari të autorizojë në llogarinë e tij bankare, nga ku pas autorizimit muaj për muaj deri në ditën e arrestimit ka tërhequr mjete me ç’ rast e ka dëmtuar të dëmtuarin në shumë prej gjashtëdhjet e tremijë e tetëqind e tetëdhjet e tetë euro e dyzet cent (63,888.40) euro. Me këto veprime, i pandehuri N.K., ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së.
Po ashtu, i pandehuri N.K., prej vitit 2018 e në vazhdim, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, duke përdorur forcën dhe kanosjen serioze për ta detyruar të dëmtuarin M.B., të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që në momentin kur M.B., vullnetarisht nuk ia sillte paratë, shkonte tek i dëmtuari duke e kanosur se do ta vret, e merrte atë për krahu, e fuste në automjetin e tij dhe e dërgonte në ndonjë nga bankomatet e njërës prej bankave, nga ku e detyronte të dëmtuarin të tërheqë para dhe t’ia dorëzojë atij, duke shkaktuar dëm në vlerë prej tetëdhjet e tre mijë e pesëqind euro (83,500.00 euro). Me këto veprime, ka kryer veprën penale “Detyrimi” sipas KPRK-së.
Gjithashtu, i pandehuri N.K., në mënyrë të drejtpërdrejtë për të dëmtuarin M.B., jep dhuratë të paarsyeshme personit zyrtar – të pandehurit I.F., në mënyrë që ky i pandehur të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare – edhe atë për punën që e ka trajtuar në cilësi të hetuesit të Njësisë rajonale të krimeve ekonomike dhe korrupsion në Prizren, ku M.B., ka qenë i dëmtuar, saktësisht i jep dhuratë të pandehurit I.F., dy vetura të prodhimit 2009, “Volswagen Tauran”, dhe veturën “Volswagen Golf”, vetura këto të marra përmes kontratave të Lizingut financiar, të cilat i ka nënshkruar i dëmtuari M.B., e që kapin vlerën totale shumën prej njëzet mijë e njëqind e nëntë euro e tetëdhjet e nëntë cent (20.109.89) euro. Me këto veprime, ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” sipas KPRK-së.
Ndërkaq, i pandehuri I.F., në cilësinë e personit zyrtar – hetues i Njësisë rajonale për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsion në Prizren, pranon dhuratë për vete dhe personin tjetër, në mënyrë që ka vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ashtu që pranon nga i pandehuri N.K., dhuratë dy veturat e lartëpërmendura. Me këto veprime, i pandehuri I.F., ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”sipas KPRK-së.
Ndërsa, i pandehuri K.G., me datë 09.08.2020 në orën 08:04 minuta, në pikë kalimin kufitar të Vërmicës, në cilësi të personit zyrtar – polic në pikën kufitare të Vërmicës, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij dhe me dashje e shkel ligjin lidhur me detyrat e tij zyrtare dhe me dashje nuk e kryen detyrën e tij të përcaktuar me ligj, në atë mënyrë që pas marrëveshjes me të pandehurin N.K., i mundëson drejtuesit të automjetit “Peugeot” me targa gjermane, kalimin e kufirit, edhe pse për të njëjtin kishte qenë në dijeni se nuk posedon dokumentacion valid, me këtë rast i sjellë drejtuesit të automjetit dobi në formën e qarkullimit me automjet. Me këto veprime, i pandehuri K.G., ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.
Ndërsa, të pandehurit A.K., dhe N.K., nga data 29.08.2020, e deri 09.12.2020 në Prizren, në bashkëveprim, në mënyrë mashtruese dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e mashtrojnë të dëmtuarin M.B., në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri N.K., merret vesh me të pandehurën A.K., që e njëjta të krijoj lidhje dashurie me të dëmtuarin M.B., dhe më pas e pandehura të kërkoj nga i njëjti t’i jep Autorizim të pandehurës A.K., që nga xhirollogaria e M.B., të transferoj mjete monetare si dhe të bëjë pagesa. E njëjta, ka transferuar dhe ka kryer pagesa në shumë totale prej katër mijë e treqind e nëntëdhjet e pesë (4,395.00) euro. Me këto veprime, në bashkëkryerje N.K. dhe A,K., kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Gjithashtu, prokurori i shtetit ka propozuar që të konfiskohet automjeti i markws “Volswagen Golf”.