Dekretohet Ligji i Rimëkëmbjes Ekonomike, paratë e Trustit mund të dalin më shpejt sesa që pritej
Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike është dekretuar gjatë ditës së djeshme në zyrën e presidencës, Artan Murati, këshilltar i u.d. presidentes Vjosa Osmani.
Murati tha se dekretimi i Ligjit është bërë në momentin që është sjellë nga Kuvendi.
“Është dekretuar dje, në momentin që është sjellë nga Kuvendi”, konfirmoi Murati të dielen.
Pas dekretimit, Ligji pritet të publikohet në kohë rekorde në Gazetën Zyrtare dhe më pas nisin procedurat për tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti.
Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike u përmend qysh para gjashtë muajsh, por hapa konkretë për jetësimin e tij, u morën ditën e premte kur pas shumë tentimeve kaloi në Kuvendin e Kosovës.
E menjëherë pas kësaj në një konferencë për media, kryeministri Avdullah Hoti tregoi për hapat e mëtejmë.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë që 212 milionë euro mund të tërhiqen nga qytetarët.
Ai tha se pas tetë ditësh do të hapet sistemi online për tërheqjen e 10% nga Trusti.
Kosova më në fund u bë me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, në seancën e ditës së premte, 72 deputetë votuan pro në leximin e dytë të këtij ligji.
Përpos, votave të partive në pushtet, pro votuan edhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.
E një prej kushteve të PDK-së që u fut si amendament në ligj, është edhe ajo që personat që tërheqin 10-përqindëshin e kursimeve nga Trusti e që kanë të kursyera më pak se 10 mijë euro, të rimbursohen nga Qeveria në një fazë të mëvonshme.
Ata që kanë më shumë se 10 mijë euro të kursyera nuk do të rimbursohen.
Raportohet se 104 mijë kosovarë kanë vetëm 100 euro në trust, që do të thotë mund të tërheqin vetëm 10 euro.
Ndërsa, 12 mijë e 944 persona kanë të kursyera mbi 20 mijë euro, 212 mijë e 799 persona kanë nga 100 deri në 1000 euro, 194 mijë e 857 persona kanë nga 1000 deri në 5000 euro.
Në Trust nga 5000 deri 10000 euro i kanë 74 mijë e 99 persona.
Nga 10000 deri 20000 euro në Trust i kanë 40 mijë e 440 persona.