Fundi i sagës për vizat që u premtuan para më shumë se një dekade

Këshilli i Ministrave të BE-së pardje me unanimitet i thanë po lëvizjes pa viza për qytetarët e Kosovës. Ky vendim i tyre përfundoi edhe një fazë të kërkuar të procesit të liberalizimit të vizave për t’ia lënë radhën Parlamentit Europian edhe për një votim para se të hyjë në fuqi mundësia e udhëtimit pa viza në zonën Schengen.

Për të miratuar këtë qëndrim të Këshillit të BE-së, dosja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të shkojë sërish në votim në Komitetin e Parlamentit Europian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE).

Sipas zëdhënësit të Parlamentit Europian, Janne Ojamo, më 22 mars është planifikuar votimi në LIBE, ndërsa seanca plenare do të jetë në mes të datave 17 dhe 20 prill.

Pasi edhe Parlamenti Europian t’i japë dritën jeshile procesit, vendimi nënshkruhet nga përfaqësuesit e tri institucioneve të BE-së, Komisioni, Këshilli dhe Parlamenti. Më pas vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare pastaj hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit. Data kur fillon lëvizja e lirë është caktuar 1 janari i 2024-ës.

Vendimi i së enjtes nxiti reagime në Kosovë dhe në rajon, por për shkak të përvojës së hidhur në Kosovës asgjë nuk merret me siguri të madhe kur janë në pyetje vizat. Kjo u pa edhe në reagimet në rrjetet sociale pardje pas vendimit në Bruksel.

Heqja e vizave ishte premtuar diku në vitin 2010 nga politikanë kosovarë edhe pse zyrtarë europianë këshillonin që të mos bëhet kjo.

Por, anëtarja e Kryesisë së LDK’së dhe profesoresha e integrimeve europiane, Jehona Lushaku, thotë se kësaj herë nuk do të ketë kthim prapa për vizat dhe se as zhvillimet politike nuk do ta ndikojnë vendimin.

“Unë nuk mendoj sepse është thënë sot se afati I fundit për të hyrë marrëveshja në fuqi është 1 janari dhe shpresoj që të shkojë kështu. tani ka mbetur të miratohet formalisht në PE, të nënshkruhet dhe të publikohet në gazetën zyrtare dhe duket që kjo është finalja” ka thënë Luashaku të enjten në DPT te Fidani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se u nda i kënaqur nga Këshilli i BE-së.

“Vendim unanim i sotëm në favor të udhëtimit pa viza për qytetarët tanë. Pritjes së gjatë po i vjen fundi. Mezi presim hapat përfundimtarë të Parlamentit Europian”, tha Kurti në Twitter.

Derisa homologu i tij i Shqipërisë, Edi Rama, me ironi e uroi edhe BE-në.

“Një hap i vonuar padrejtësisht me vite u hodh sot nga BE-ja, e cila më në fund po e heq nga vetja njollën e turpit të trajtimit të Kosovës si të ishte një vend jashtë Europës! Urime jo vetëm Kosovës, po edhe Bashkimit Europian”, shkroi ai.

Ndërkaq, presidentja Osmani dhe homologu i saj shqiptar, Begaj, reaguan duke e mirëpritur këtë hap.

Një reagim e pati edhe Presidenti I Serbisë Aleksandar Vuçiq i cili tha se edhe Serbia e mbështet një vendim të tillë duke mos treguar pse, por duke lënë të kuptohet se mundësia e kosovarëve për të udhëtuar pa viza do ta zbrasë Kosovën.

“Nuk do të flas pse e mbështesim këtë vendim”, tha të enjten Vuçiq duke u qeshur.

Raportuesi për vizat Thijs Reuten në një reagim për Gazetën Express të enjten e ka quajtur lajm të mirë votimin në e ministrave të BE’së.

“Hapi tjetër do të jetë miratimi në Parlamentin Europian që pritet të ndodhë në prill. Nuk do të ketë më ndryshime në përmbajtjen e marrëveshjes. Kjo nënkupton që liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi ose në të njëjtën kohë me ETIAS ose më së largu më 1 janar 2024. Kjo nënkupton që jo më larg se vitin e ardhshëm, Kosova përfundimisht do ta ketë udhëtimin e merituar dhe të vonuar pa viza në BE”.

Procesi i tejzgjatur i konsideruar thellësisht i padrejtë për Kosovën u zhbllokua vitin e kaluar për të përfunduar procedurat këtë vit dhe për t’u shfrytëzuar vitin e ardhshëm.

Franca, shteti që ishte më skeptiku për t’i lejuar kosovarët të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, pasi u bind për të hequr vizat e kushtëzoi atë me funksionalizimin e sistemit ETIAS, por më pas u mor vendim që si afat i fundit të lihet 1 janari i 2024-ës.

Në plan ishte që ETIAS të hynte në funksion në nëntor të këtij viti dhe me të filluar punën ky sistem, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtonin lirshëm. Megjithatë, ky shans humbi meqë ETIAS do të vonohet deri më 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *