RIKUJTIM PËR XHEMIL DODËN (22.04.1915 – 09.03. 1976)
Në gazetën Rilindja, të datës 1 korrik 1989, pena e artë e gazetarisë kosovare, Maksut Shehu, të shkruar me pjalmin e zemrës, ka botuar shkrimin përkujtimor me titullin “Me një gur s’bëhet mur”, kushtuar njërit nga personalitetet e mëdha të artit, kulturës, letërsisë dhe atdhetarisë, Xhemil Doda.
Shkruan: Skender Zogaj
S’e ç’ma tundi përmallimin ky shkrim dhe më ktheu në moshën e rinisë sime, kur si gjimnazist në Prizren, me shokët e mi, “djemtë e parahatshëm”: Pashk Laçi, Salajdin Krasniqi, Qerim Zogaj, Abaz Fejzullahu, Azem Kokollari, Musli Kuqi, etj. e thoshim bukur zëshëm : Kosova është Shqipëri!?
Shkrimi i Maksut Shehut ma përkujtoi portretin e skalitur të burrit mendje ndritur, të urtë e fisnik, aristokrat i vërtetë shtatëqind dërhemësh, me zemër e mendje plot zjarr përvëlues përbrenda, që s’heq dorë kurrë nga ëndrra për të qenë gur në murin e kullës nga e cila pastaj: fjalë mbi fjalë e gurë mbi gurrë të bëhet kalaja!
Pikërisht si Kalaja e Prizrenit i madh dhe kryelartë ishte dhe qëndron edhe sot e gjithmonë, Xhemil Doda intelektuali ekselent: shkrimtari, poeti, romansieri, dramaturgu, oficeri, profesori, aktori, regjisori e atdhetari i paepur, flakadani i ruajtjes së shpresës së mirë, kur erërat e stuhishme e kishin mbërthyer shqiptarin dhe po e mbanin të përthekuar në grusht, si një zog të vogël.
I gjatë dhe shtat drejtë, tek ecte nëpër kryesheshin e Prizrenit, mënyra e ecjes së tij ishte e tëra si ajo e heronjve në këngët kreshnike, që neve që e shikonim nga anash rretherrotur, sikur na thoshte:
“Mos ngurroni të qëndroni! S’kanë ç’na bëjnë! Zogu është i vogël por e ka zemrën të madhe. Nuk do të mund ta mposhtin kurrë, sepse: nëse e kallin nga hiri i vet ringjallet përsëri!”
Kështu frymonte dhe me neve komunikonte mendja plot dritë dhe zemra bujare e Xhemil Dodës, të cilin UDB-a e kishte therrë në sy dhe e ndiçte këmba-këmbës dhe e mbante të kontrolluar – përkthyesin e rrezikshën të administratës komunale të Prizrenit.
Maksut Shehu e kujton me admirim mikun e vet: duke luftuar me brengat e përditshme e pëtej brengash, ndër cakërime gotash e këngësh në përsëritjen e përhershme, deri në katarzë: “Kënga është gaz e lot, gëzim e helm!» – me mallëngjim evokon Maksi mikun Xhemil Doda, që vërtetë ishte burr-gur kristal për unur, rrezatues i pa shoq që… kurrë nuk u lodh së vepruari, edhe pse e dinte se “Me një gur s’bëhet mur”, por ishte i bindur se në qëndresën e njeriut është fryma e shpirtit më forcën e gurit që i jep bukuri valëvitjes së flamurit.
Këtë qëndrim të Xhemilit e vërteton edhe miku, bashkëveprimtari dhe kolegu Ismajl Bytyqi, i cili në ditarin e kujtimeve të tij shkruan:
“…kam qenë me fat që zyra ime ishte afër zyrës së profesorit tonë të nderuar, z. Xhemil Dodës, i cili aso kohe ishte si përkthyes pranë Kuvendit të Komunës dhe çdo herë jemi konsultuar dhe kemi biseduar me të për shumë probleme, veçmas kur kishte të bënte me arsim e kulturë, siç ka qenë rasti i hapjes së shkollave në Zhupë të Sreckës: Mushnikovë, Skorobisht, Gërnçar, pastaj për emërimin e klubit letrar të qytetit me emrin “Fan S. Noli”, i Shkollës Fillore të Zymit me emrin “Shtjefën Gjeçovi”, e tjera emërime entesh e institucionesh ku ndikimi i Xhemil Dodës ka qenë shumë i madh…”
Sigurisht! Fjala dhe mendimi i Xhemil Dodës ishin me peshë guri, që peshon në mur e urë, prandaj, ishte i padëshiruar nga regjimi i kohës, që mundohej ta mbante të nënshtruar, por Xhemil Doda nuk u lig, s’u ndal kurrë, natë e ditë me letra në duar, shkrim-lexim dhe varg veprash, dramat: “Halit Gashi”, “Malësori”, “Pasojat e alkoolit”,“Kryqi i thyem”, “Forumi i korruptuem”, “Jeta studenteske”, “Papuçja e vjehrrës”, “Lamshi mbrapa sqenës”, “Thonjtë e maces”, etj., pastaj romani “Jeta e një gjimnazisti”, shtatë tregime e novela dhe një tufë vjershash të bukura në dorëshkrim e të botuara në periodikun e kohës, që vet autori i deklamonte me shumë sharm nëpër takime letrare e në ndeja shoqërore.
Krijuesit letrarë e teatrorë të Kosovës, profesionistët dhe amatorët, përfitojnë shumë nëse e shfletojnë krijimtarinë e pasur letrare të Xhemil Dodës, që edhe sot ka çfarë të thotë…
PS:
Shoqata për Kulturë dhe art “Fidani” në Prizren, në shenjë kujtimi dhe nderimi për veprimtarinë e Xhemil Dodës, çdo vit, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, në manifestimit letrarë “ORA E PAVARËSISË” jep çmimin letrar për tregim të shkurtë me emrin e Xhemil Dodës.