Çka nevojitet për të aplikuar për 10% e Trustit?
Kryesuesi i Bordit të Trustit, Ymer Havolli në një konferencë për media ka thënë sot se do të lansohet një platformë e re e Trustit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
Ai ka dhënë detaje edhe për procedurën e tërheqjes së mjeteve nga ky institucion.
“Trusti ka bërë të gjitha përgatitjet teknike. Jemi duke punuar intensivisht në mënyrë që të bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshëm dhe të gjithë qytetarët mund të aplikojnë për tërheqjen e mjeteve. Sot lansohet faqja e re në internet e që është Trusti10.org, pra do të jetë një faqe tjerë. Aplikimi është shumë i thjeshtë. Duhet të shkruani vetëm numrin personal dhe atë të llogarisë bankare. I lusim të gjithë që ti rikonfirmojnë këto dy të dhëna sepse e lehtësojnë shumë aplikimin. Duhet të jenë të sakta dhe në emër të aplikuesit që i tërheq mjetet”, ka thënë ai.
Havolli ka theksuar se platforma tanimë është gati dhe se paratë do të ndahen shumë shpejtë për aplikuesit.
Në ndërkohë kryeministri Hoti në këtë konferencë ka njoftuar se të premten hapet zyrtarisht aplikimi për tërheqjen e 10% të kursimeve në Trust.