“Më të varfërit në Evropë, kredi deri në fyt”: Kosovarët vazhdojnë të përballen me varfëri, inflacion e humbje të Trustit
Çmimet e larta të produkteve të konsumit po vazhdojnë të ngjallin probleme për qytetarët e Kosovës, teksa inflacioni në muajin mars të 2023 shënoi 7,6 për qind. Ndërsa kosovarëve së fundmi iu shtrenjtua edhe rryma, ndërsa ata mbesin qytetarët më të varfër të Evropës. Për më keq, ekonomitë familjare janë borxh “deri në fyt” në bankat komerciale, të cilat vazhdojnë të korrin fitime të majme.
Në muajin mars, sipas Agjencisë së Kosovës për Statistika, qytetarët u përballën me një inflacion që kapi normën prej 7,6 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2023. Më së shumti rritje të çmimeve u shënuan në prodhimet ushqimore, qumësht, djathë, vezë, sheqer, bukë e drithëra.
“Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin mars 2023 me muajin mars 2022 ishte 7.6%. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djathë dhe vezë (19.2%); mish (16.6%); prodhime ushqimore (16.2%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (15.0%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (13.7%); bukë dhe drithëra (12.8%); perime (11.6%); mobile, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e shtëpisë (9.6%); peshq (9.6%); mbrojtje sociale (9.5%); kujdes personal (9.0%); kafe, çaj dhe kakao (8.7%); restorante dhe hotele (8.5%); gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare (7.9%); pije alkoolike, duhan (7.4%); pemë (6.8%); gjëra personale (6.1%); pije alkoolike (6.1%); vajra dhe yndyra (5.5%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (5.3%); duhan (5.2%); pushime e organizuara (5.0%)” – shkruan ASK në raportin e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për marsin e 2023.
Por, nuk përfundojnë këtu lajmet e këqia për qytetarët e Kosovës. Në një raport të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që u publikua javën që shkoi, Kosova rënditet si vendi më i varfër në Evropë në vitin 2023. Një gjë e tillë u bazua mbi të ardhurat për frymë, të cilat llogariten duke e matur fuqinë blerëse, që u godit shumë gjatë vitit të kaluar si pasojë edhe e pushtimit rus në Ukrainë.
Siç shkroi Nacionale, FMN-ja e rënditi Kosovën si shteti më i varfër në Evropë për vitin 2023 në këtë tregues, me një Produkt të Brendshëm Bruto për frymë prej 15 mijë e 619 dollarë ndërkombëtarë. Pas saj, vjen Shqipëria, që ka një PBB prej 19 mijë dollarë ndërkombëtarë për frymë.
Të fundosur në borxh…
Por kosovarët janë keq edhe në një tjetër faktor. Kosovarët, më saktësisht familjer kosovare, janë të zhytyra në kredi. Në fakt, vlera e kredive që kanë qytetarët e Kosovës si borxh ndaj bankave komerciale është 4 miliardë e 350 milionë euro.
Ekonomitë familjare kanë një borxh prej 1 miliard e 632,3 milionë euro ndaj bankave komerciale, gjersa bankat në Kosovë vazhdojnë të operojnë me fitim të madh. 140.3 milionë euro ishte fitimi i tyre i pastër gjatë vitit 2022, e cila vlerë shënjon vitamin më të lartë që nga themelimi i sektorit banker. Mirë kanë operuar në vazhdimësi edhe institucionet mikrofinanciare.
“Sektori bankar përmbylli vitin 2022 me fitim neto prej 140.3 milionë euro, vlera më e lartë e realizuar që nga themelimi i sektorit bankar.Rezultati i tillë financiar u mundësua nga rritja më e lartë e të hyrave krahas rritjes së shpenzimeve. Gjithsej të hyrat arritën vlerën prej 370.4 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 15.0 përqind. Në rritjen e të hyrave kontributin kryesor kishin të hyrat nga interesi, që përfaqësojnë 71.1 përqind të gjithsej të hyrave. Në kuadër të të hyrave nga interesi, arkëtimet nga interesi në kredi kontribuuan kryesisht në këtë rritje, kategori e ndikuar prej rritjes së theksuar të kreditimit.” – thuhet në raportin e BQK-së.
Ndërsa, kosovarëve u janë tkurrur edhe kursimet pensionale. Madje, sipas kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, për më pak se 3 muaj, TRUST-i ka humbur 36 milionë euro.
“Përderisa kursimet pensionale, të fituara me shumë mund, humbasin vlerë nga gjysmë milion euro në ditë, popullistët vazhdojnë rehatinë. Plot 36 milion euro është zhvlerësimi i fondeve nga janari deri më sot. Qeveria nuk gjenë as brengën e as kohën të caktojë një Bord.” – shkroi më 24 mars, z. Abdixhiku.