Bie dukshëm numri i lindjeve në Kosovë: Çka po ndodh dhe çka mundemi të bëjmë?
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe Programi për Popullsi dhe Zhvillim, (UNFPA) kanë mbajtur diskutimin “Ulja e fertilitetit në Kosovë: Çka po ndodh dhe çka mundemi të bëjmë?
Në këtë diskutim u theksua se në Kosovë vitet e fundit ka rënie të lindjeve, ku sipas të dhënave të fundit norma e fertilitetit në Kosovë është 1.7, që do të thotë që popullsia në Kosovë është ne zvogëlim e sipër. Aty u tha se në Kosovë në vitin 1986 kanë qenë 56 283 lindje ndërsa vitin 2019 janë 25 794 lindje. Kurse vdekjet në vitin 1999 kanë qenë 20 311 ndërsa në vitin 2019 kanë 14 845.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencia e Statistikave të Kosovës Ilir Berisha, tha se rënia e lindjeve në Kosovë lidhet me migrimin.
Sipas tij, kjo dukuri është prezentë në gjithë rajonin dhe më gjerë, por që shtetet e tjera kanë marr masat me kohë.
“Statistikat tona na tregojnë se kemi rënie të lindjeve në Kosovë, kjo lidhte me fertilitetin dhe migrimin. Ne besojmë që do të dalim më të pajisur për këtë dukuri nga ky diskutim”.
“Kjo dukuri është prezentë në gjithë rajonin dhe më gjerë, vendet e rajonit kanë marr hapat me kohë. Përpos që lindjet kanë rënie edhe migrimi është në rritje”, tha ai.
Visare Mujko-Nimani, udhëheqëse e Zyrës së UNFPA në Kosovë, tha se për këtë çështje do të duhet që të ketë ndryshime politikash.
Sipas saj, me liberalizimin e vizave gjysma e të rinjve do të largohen nga Kosova.
“Brenga e të gjithëve është se çfarë do të ndodh sepse popullsi po zvogëlohet. Orientim është se çfarë po bëjnë shtete tjera që janë prekur, çfarë masash duhet me marr dhe cilat nga to kanë pasur sukses. Shtete që janë ballafaquar me këtë problematik ka vërtetuar dhe kanë bërë ndryshime në politika si në edukim, pushimin e lehonisë, pushimin prindërorë. Ne si Kosovë po presim se çka do të ndodhë me liberalizim vizash tani, ku gjysma e të rinjve do të largohen”, tha ajo.
Profesoresha Mimoza Dushi, nga Universiteti i Prishtinës, tha se në vitet e më hershem Kosova ka pasur numrin më të madh të lindjeve krahasuar me vendet e rajonit.
Ajo tha se sipas të dhënave shkalla e lindshmërisë në Kosovë ka shënuar rënie, duke shtuar se shkaktari kryesor i zvogëlimit të numrit të popullsisë është migrimi jo lindshmëria.
“Nga viti 1948 deri vitin 2011 për sa i përket numrit të lindjeve në këto periudha Kosova ka pasur rritje të lindjeve krahasuar me vendet e rajonit. Shkalla e fertelitetit të përgjithshme gjatë 2013-2022 në Kosovë është 2.1 që është shkalla më e lartë krahasuar me vendet e rajonit. Ka burime të tjera që tregoj se shkalla e lindshmërisë në Kosovë ka shënuar rënie. Në Kosovë shkaktari kryesor i zvogëlimit të numrit të popullsisë është migrimi jo lindshmëria”.
“Kosova në vitin 2013 ka pasë shkallën e fertilitetit të përgjithshëm në nivel të zëvendësimit, por që popullsia është zvogëluar për 18.7%. Rekomandimet për politika të fertilitetit në rastin e Kosovës janë që të stimulohet rritja ekonomike, të sigurohen vende pune dhe të ardhura të qëndrueshme, të ofrohen qasje në banim të përballueshëm për familjet, orare fleksibile të punës, duke përfshirë punën me orar shkurtuar, të ketë lehtësira tatimore dhe përkrahje të tjera financiare për familjet, veçanërisht ato me të ardhura të pakta ose pa të ardhura”, tha ajo.
Sevdie Spahiu, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, tha se problem është mos edukimi i të rinjve mbi shëndetin seksual dhe riprodhues, e që sipas saj, Instituti është duke u marrë me këtë çështje.
“Lindshmëria ka rënë, faktorët e rënies u ceken por ajo që është e rëndësishëm është që kjo varet prej shumë faktorëve, ajo çka është me rëndësi në si Institut duhet të punojmë sa më tepër me të rinjtë sa i përket shëndetit seksual dhe riprodhues. Ne mbajmë trajnime me shkollat e mesme. Ajo çka është e rrezikshme është shtatzënia e pa dëshirueshëm, andaj duhet që të punohet me të rinjtë pasi këto janë tema tabu ne familjet tona. Rrezik tjetër është se të rinjtë kanë informata të shumta dhe se informata ata duhet t’i marrin nga burimet e sigurta”.
“Ajo çka është shqetësuese është rënia e natalitetit, ne si vend kemi qenë tipi progresiv, por që disa vite i takojmë tipit stacionar. Problem e kemi edhe me të dhënat, për sa i përket statistikave. Shqetësim për ne është edhe mos raportimi i vdekjeve martinale. Është shumë e dhimbshëm që pas kaq vitesh na mungoj të dhëna. Nuk është krejt zi kemi edhe gjena të mora, vdekshmëria e foshnjave ka qenë shumë e lartë, tani kemi rënie. Mortaliteti i hershem është në rënie. Po ashtu është shqetësuese edhe numri i lindjeve me operacione, ajo çka është edhe më shqetësuese është në spitalet private ku lindjet me këtë proces janë diku deri më 76.6%”, tha ajo.
Avni Kastrati, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tha se norma e fertilitetit në Kosovë nga të dhënat e fundit është 1.7.
Ai ka bërë edhe krahasimin e numrit të lindjeve ndër vite ku në vitin 1986 numri i lindjeve ishte 56 283 në vitin 2019 ka pasur 25 794 lindje, raporton EO.
“Tek kualiteti i të dhënave edhe ne si institucion kemi sfida. Sfidë mbetet pra kualiteti i të dhënave, po të kishim të dhëna të mira nuk di të kishim pasur nevojë për regjistrim të popullsisë. Në Kosovë ka rënie të popullsisë nga viti 1999. Lindjet vitet 1986 kanë qenë 56 283 lindje ndërsa vitin 2019 janë 25 794 lindje. Vdekjet në vitin 1999 kanë qenë 20 311 ndërsa në vitin 2019 kanë qenë 14 845. Normat e ulëta dhe të larta të fertilitetit, nga viti 1960 norma e fertilitetit në Kosovë është 6.4, të dhënat e fundit (2020) është 1.7”, tha ai. /Ekonomiaonline