Agjencia Kundër Korrupsionit i vlerëson të paligjshme subvencionet e Haskukës ndaj firmës së babait

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka krijuar rast të konfliktit të interesit. Kështu po e vlerëson Agjencia Kundër Korrupsionit.

Kjo agjenci ka konfirmuar për lajmi.net, se ky rast përbënë konflikt të interesit.

AKK-ja ka thënë se kjo bije ndesh me Ligjin Nr. 06/L-011.

“Agjencia Kundër Korrupsionit, ju njofton se në parim në kuptim të dispozitave të Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, sipas nenit 13.2, thuhet se: Ndërmarrja në të cilën zyrtari i lartë ka pronësi apo pjesë të pronësisë, e drejtuar nga personi i besuar apo i afërm, nuk kanë të drejtë të lidhin kontratë ose të përfitojnë ndihmë nga institucionet qendrore ose lokale, në të cilat zyrtari i lartë ushtron detyra publike.

Bazuar në këtë dhe në sqarim të drejtë të dispozitave ligjore të Ligjit Nr. 06/L-011 Çdo zyrtar gjatë ushtrimit të funksionit të tij publik, në bazë të njohurive të tij dhe në mirëbesim, detyrohet që të bëjë vetë deklarimin paraprak, rast për rast, të ekzistencës së interesit të tij privat ose të personave të afërm me të lidhur me vendimmarrjen në një çështje të caktuar, që mund të bëhet shkak për lindjen e një konflikti të interesit dhe të tërhiqet nga kjo vendimmarrje”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Biznesi i cili ka emër tregtar DPT “MMM”, ka për aktivitet primar “Tregtinë me pakicë e mallrave të tjera të reja, në dyqane të specializuara”. Në këtë biznes akoma figuron si pronarë, babai i ndjerë i kryetarit Haksuka, Daver Haskuka, ndërsa person i autorizuar është vëllai i kryetarit Mytalip Haskuka.

Biznesi me emër tregtar “MMM”, duket se emrin e ka marrë nga inicialët e parë të ermëve të kryetarit Mytaher Haskuka dhe dy vëllezërve të tij, Mytalip e Myxhahid Haskuka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *