Për gjashtë muaj, mbi 1 mijë e 500 qytetarë hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës
Shumë qytetarë janë duke vazhduar lënien e shtetësisë së Kosovës ndër vite. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti mbi 1 mijë e 500 qytetarë janë liruar nga shtetësia e Kosovës.
Në baze të të dhënave që Express ka siguruar nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga 1 janari nga shtetësia e Kosovës kanë hequr dorë 1.672 persona.
Njësoj gjendja ishte edhe vitin e kaluar. Afër 5 mijë ishte numri i qytetarëve që u liruan nga shtetësia kosovare përgjatë 2022-ës.
“Gjatë periudhës 01.01.2023-19.06.2023 nga Shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar gjithsej 1,672 persona. Në vitin 2022 nga Shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar gjithsej 4,792 persona”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
E më i vogël ishte numri i qytetarëve që e fituan shtetësinë e Kosovës këtë vit dhe vitin e kaluar.
“Gjatë periudhës 01.01.2023-19.06.2023, Shtetësinë e Republikës së Kosovës e kanë fituar gjithsej 291 persona. Në vitin 2022 Shtetësinë e Republikës së Kosovës e kanë fituar gjithsej 587 persona”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e ministrisë.
Rëndomë kërkesat për lënien e shtetësisë vijnë nga personat që jetojnë në vende të tjera. Kjo pasi disa shtete nuk e lejojnë dyshtetësinë.
Theksojmë se Republika e Kosovës qytetarëve të saj u lejon të mbajnë dy e më tepër shtetësi, ndërkaq që ajo e Shqipërisë këtë numër e ka kufizuar në dy.