Azemi: Mbi 80% e kompanive kanë mungesë të punëtorëve

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka thënë për Ekonomia Online se mbi 80% e kompanive kanë mungesë të punëtorëve.

Azemi theksoi se nga 2021, mbi 100 000 punëtorë kanë ikur nga Kosova. Gjithashtu ai tha se deri në fund të vitit do ketë “qetësim” të ikjeve pasi të rinjtë do presin liberalizimin për t’u kursyer nga shpenzimet e aplikimeve për viza nëpër ambasada.

Kjo ikje sipas tij, më së shumti po prek bizneset duke u shprehur në veçanti i shqetësuar për numrin në rënie të punëtorëve të kualifikuar.

“Kompanitë e mëdha po edhe të vogla sot kanë problem; mbi 80% e kompanive kanë mungesë të punëtorëve. Po flasim për punëtorë të profileve të ndryshme sepse punëtorë krahu edhe sot gjenden, ndonëse jo në një numër të dëshirueshëm. Por numri i punëtorëve të kualifikuar është në rënie e sipër në Kosovë”.

Kryesindikalisti i sektorit privat tha se paga minimale për këtë vit duhet të jetë 450 euro ndërsa për vitin tjetër 500.

Madje sipas tij, paga në sektorin privat janë rritur, por jo edhe për punëtorët që kryejnë shërbime në institucionet publike, e që punojnë për kompani private.

“Realisht ka rritje të pagave në sektorin privat aty ku nuk ka prekje shteti. Ju e dini që një pjesë bukur e madhe e punëtorëve të sektorit privat kryejnë shërbime nëpër institucionet shtetërore dhe aty ku ne kryejmë shërbime nëpër institucione shtetërore pagat janë pothuajse mizerje, kemi pagën diku prej 170 euro dhe deri diku mesatarisht 300 euro”.

“Faktikisht janë pagat më të mëdha, aty ku nuk ka prekje shteti janë sidomos në ndërtimtari, paga në të cilat ndonëse kemi lëvizje pozitive por megjithatë nuk është as për së afërmi ajo e dëshirueshmja”, tha ai.

Azemi shprehet i zhgënjyer me mos përkrahjen nga institucionet duke thënë se janë të neglizhuar, raporton EO.

“Realisht domethënë punëtorët e sektorit privat të Kosovës kanë qenë dhe janë në një stuhi për të cilën po themi askush nuk merret me këtë çështje. Me neve merren vetëm atëherë kur vijnë ditët e zgjedhjeve për të cilat mendoj se tashmë punëtorët e sektorit privat të Kosovës janë të ngopur me proklamimet, janë të ngopur me deklaratat se ne do të bëjmë këtë ose atë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *