Për një ditë raportohen pesë raste të falsifikimit të parasë
Pesë raste të falsifikimit të parasë janë raportuar vetëm në 24 orët e fundit në Kosovë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se bëhet fjalë për dy raste në Prishtinë, një në Prizren, një tjetër në Pejë dhe një rast në Malishevë.
Të hënën një person në Prishtinë ka njoftuar policinë se nga një kompani private janë deponuar monedha që dyshohet të jenë të falsifikuara.
Të njëjtat janë sekuestruar nga njësia e hetuesisë ndërsa rasti është në procedurë hetimore.
Ndërsa një tjetër person raportohet të jetë ndaluar pasi ka tentuar të bëjë pagesë me kartëmonedhë që dyshohet të jetë e falsifikuar.
“Është ndaluar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, i njëjti është hasur duke bërë pagesën me një kartëmonedhë që dyshohet të jetë e falsifikuar. Monedha e dyshuar është konfiskuar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”, është bërë e ditur në raportin 24 orësh të Policisë.
Kartëmonedha që dyshohet të jenë falsifikuar janë sekuestruar edhe në Prizren dhe Pejë.
Ndërsa në Malishevë një zyrtar i një banke ka raportuar se një person ka deponuar kartëmonedhë qe dyshohet të jetë e falsifikuar.
“Ankuesja femër kosovare zyrtare e një banke, ka raportuar se nga një person është deponuar një kartëmonedhe që dyshohet të jetë e falsifikuar. Kartëmonedha është sekuestruar nga njësia e hetuesisë. Rasti në procedurë hetimore”, është bërë e ditur në raportin e Policisë së Kosovës.