Kompensimi për rrymën në veri, Kushtetuesja po e shqyrton kërkesën e ZRrE – s’ka afat për vendimmarrje
Gjykata Kushtetuese është duke e shqyrtuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për sqarime lidhur me aktgjykimin e Supremes, përmes së cilit iu dha të drejtë qytetarëve për të kërkuar kompensim për faturimin që u është bërë për disa vite për rrymën e shpenzuar në katër komunat veriore. Por, se kur do të dalë më aktgjykim nuk dihet, meqë s’ka ndonjë afat të vendimarrjes në këtë rast.
Në fund të majit të këtij viti, Zyra e Rregullatorit të Energjisë i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për sqarime. ZRRE kishte pyetur Kushtetuesen se si të veprojë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Supreme, për kompensimin e qytetarëve për faturimin që u është bërë me vite për rrymën e shpenzuar në veri.
Saktësisht, ZRRE kishte paqartësi se si të veprojë në këtë rast, meqë në Aktgjykim vetëm i kërkohet që të ndërmerr veprime për ta obliguar Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes që të bëj kthimin e shumës së faturuar, por nuk specifikohet forma e mënyra.
Deri tash, nuk ka ndonjë vendim nga Kushtetuesja për këtë rast. Lënda ende është në shqyrtim.
Zëdhënësi i Kushtetueses, Veton Dula, i ka thënë Gazetës Express se Gjykata nuk ka ndonjë afat të vendimarrjes në këtë rast, por se sapo të merret vendimi, do të njoftohen të gjithë.
“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar. Sapo të merret vendimi, për këtë do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni. Gjykata nuk ka ndonjë afat të vendimmarrjes në këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Dulës.
Në një përgjigje për Express, Zyra e Rregullatorit për Energji kishte thënë se sapo të merret vendimi nga Kushtetuesja, do t’i zbatojë në tërësi detyrimet ligjore dhe Kushtetuese sipas Aktgjykimit.
Kishin sqaruar edhe se zbatimi i këtij vendimi ka qenë fillimisht obligim i KEK’ut, por se me rastin e privatizimit ky obligim ka kaluar te KEDS. Pas ndryshimit të legjislacionit të sektorit të energjisë, ZRRE thotë se tash ky obligim ka kaluar te KOSTT.
“Po ashtu ju informojmë se zbatimin e vendimit V_399_2012 fillimisht e ka pasur për obligim KEK sh.a. me aktivitetin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, pastaj me rastin e privatizimit ky obligim ka kaluar te KEDS, si dhe me ndryshimet ligjore të legjislacionit të sektorit të energjisë ky obligim ka kaluar te KOSTT. Prandaj, krejt këto që i theksuam më lartë, kërkojnë qartësim ligjor dhe procedural për të ndërmarr veprime ligjore, dhe me rastin e marrjes së vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese, ZRRE do ti zbatoj në tërësi detyrimet ligjore dhe Kushtetuese sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, kishin deklaruar nga ZRRE.
Sipas Aktgjykimit të Supreme, qytetarët kanë të drejtë për kthimin e këtyre mjeteve. Pretendimet lidhur me arsyetimin e mos inkasimit në këto komuna me shkaqe sigurie dhe mos pasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë, Supremja i ka konsideruar si të paqëndrueshme.
“Prandaj, nuk janë të qëndrueshme pretendimet lidhur me arsyetimin e mos inkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie dhe mos pasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë, sepse nuk justifikohet që qytetarët tjerë për këto arsye të ngarkohen me pagesën e energjisë elektrike të harxhuar pa një bazë ligjore. Prandaj me këtë faturim dhe pagesë është bërë trajtim jo i barabartë i qytetarëve të Kosovës, e që bie ndesh me nenin 55 par. 4, të Kushtetutës, trajtim i pabarabartë, të cituar si në aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta, sepse është bërë kufizim i të drejtave të njeriut. Andaj bazuar në nenin 194 të LMD, konsumatorët, të cilët pa bazë ligjore dhe pa dijeninë e tyre janë faturuar dhe kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri, u lindë e drejta për kthimin e shumës së paguar si kanë vendosur gjykatat e instancave më të ulëta”, ka njoftuar Supremja.
Ndryshe, rrymën që kanë shpenzuar qytetarët në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, e kanë paguar qytetarët e pjesëve të tjera të vendit, për18 vjet me radhë.
Refuzimi për të paguar rrymën ka ardhur si pasojë e mosbindjes qytetare por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme në veri, që kanë operuar nën dirigjimin e Serbisë.
Për t’i shlyer këto borxhe, qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës, kanë paguar fatura për 3.5 përqind më të shtrenjta.
Nga viti 2017 e këndej, për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka kaluar përgjegjësinë e pagesës te institucionet e vendit. Po atë vit, Gjykata e Apelit ka kërkuar që konsumatorët që kanë paguar rrymën e shpenzuar në veri për 18 vjet, të kompensohen.
Më 18 prill, Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën e ZRRE’së që të rishshyrtohet aktgjykimi i Apelit, duke thënë se konsumatorëve duhet t’u rikthehen mjetet.
Në një postim të bërë në shkurt të këtij viti, Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se se që nga viti 1999, për shkak të veprimeve të Serbisë, Kosova ka humbur mbi 300 milionë euro nga faturat e rrymës dhe ujit që serbët në veri nuk kanë paguar.
Kurti tha se për mospagesën e faturave në veri nuk kanë faj serbët që jetojnë atje, por ai për këtë fajësoi “strukturat paralele të kontrolluara nga Serbia”.
“Që nga viti 1999, Kosova ka humbur mbi 300 milionë euro për shkak të veprimeve të Serbisë, sikurse janë mbajtja e tarifave të transmisionit dhe detyrimi i tregtarëve që të paguajnë TVSH-në te Serbia për tregtinë tonë të energjisë elektrike. Edhe tani, refuzimi i Beogradit për të lejuar tregtinë Kosovë-Serbi, i kushton Kosovës deri në 10 milionë euro në muaj”, kishte shkruar Kurti.