Kryetarët e komunave kërkojnë të vazhdohen masat, lirimi i tyre nuk është opsion
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe zëvendëskryeministri Besnik Tahiri kanë mbajtur një takim virtual me kryetarët e komunave. Në këtë takim, është diskutuar rreth situatës me koronavirus, e po ashtu edhe për mundësinë e lirimit të masave për festat e fundvitit.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se kryetarët e komunave kanë kërkuar që të vazhdohen masat anti-Covid.
Ibrahimi tha se lirimi i masave nuk është opsion.
“Kryetarët kanë kërkuar që masat të vazhdohen. Masat do të shqyrtohen varësisht numrit të të infektuarve, nëse ndryshohen masat do të ketë kujdes që të mos dëmtohet ekonomia. Lirimi i masave nuk është opsion, pasi situata është ende e rënduar”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ibrahimi tha se ketogorizimi i komunave sipas zonave të rrezikshmërisë së përhapjes së virusit, ka pasur efekt pozitiv në uljen e numrit të rasteve pozitive.
“Në takim u diskutua edhe ndarjai i komunave sipas zonave, si konkludim i përbashkët ishte se ky kategorizim është treguar i suksesshëm. Kjo ndarje e ka pasur efektin pozitiv në uljen e numrit të rasteve pozitive”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai shtoi se niveli lokal ka kërkuar nga ai qendror që t’i kushtohet vëmendje edhe ardhjes së mërgatës.
“U vlerësua puna e përbashkët e nivelit lokal dhe qendror. U kërkua nga niveli qendror që t’i kushtohet vëmendje e vecantë ardhjes së mërgatës, pasi kanë kontribuuar vazhdimisht”, ka thënë Ibrahimi.
Ndërkohë, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, pas takimit me ministrin Zmeja dhe kryetarët e komunave ka thënë se kanë arritur në përfundim se mbyllja e tërësishme nuk është e nevojshme aktualisht. Ai tha se po ashtu kanë diskutuar që të analizohet shtyrja e orarit të mbylljes.
“Me Ministrin Armend Zemaj bashkëbiseduam me kryetarët e komunave dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës për situatën me Pandemi dhe respektimin e masave. U dakorduam të rrisim vigjilencën institucionale si dhe respektimin rigoroz të masave të rekomanduara. Në këtë takim, u dakorduam se mbyllja e tërësishme nuk është e nevojshme në këtë fazë, sikurse që duhet të analizohet zonimi dhe të shtyhet orari i mbylljes”, ka shkruar Tahiri.