Pezullimi i vizave për Kosovën s’mund të bëhet pa procedurë në Këshillin e BE-së

Disa burime diplomatike brenda Bashkimit Evropian (BE) kanë sqaruar se nuk ka mundësi që një shtet në mënyrë të njëanshme ta pezullojë liberalizim e vizave për një shtet tjetër dhe se kjo mund të bëhet vetëm përmes një rregulloreje nga Këshilli i BE-së, pas një deklarate të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, që shkaktoi huti në Kosovë të martën.

Përderisa për shumë media në Kosovë Macroni “kërcënoi” me pezullimin e vizave për Kosovën kur tha të martën Tiranë se “ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet”, por burime brenda bllokut evropian thanë se Franca s’e ka bërë një kërkesë të tillë.

Burime nga Brukseli thanë për Radion Evropa e Lirë të martën se pezullimi është i mundshëm vetëm përmes procedurave në Këshillin e BE-së “duke e përdorur rregulloren për mekanizmin e suspendimit të vizave“ nga viti 2018.

“Franca, e as ndonjë shtet tjetër anëtarë i BE-së, për momentin nuk ka propozuar suspendimin e vizave për Kosovën, apo për Serbinë. Por, nëse do të ketë interes politikë, ajo mund edhe ta bëjë këtë“, ka thënë një burim i Bashkimit Evropian.

Në prill të këtij viti, vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u miratua edhe formalisht nga BE-ja dhe u botua në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian po të njëjtin muaj.

Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën zonë Shengen.

Për ta pezulluar këtë vendim duhet të merret një vendim tjetër nga Këshilli i BE-së. Kjo mund të bëhet me kërkesë ose nga Komisioni Evropian ose nga ndonjë shtet anëtarë. Pastaj, vendet anëtare të Këshillit mund të votojnë për pezullimin e mundshëm.

Deri më tash vetëm një herë kishte ndodhur që një shtet anëtar i BE-së të kërkojë pezullimin e liberalizimit të vizave për një vend të rajonit.

Më 2019, Holanda kishte kërkuar që të pezullohej liberalizimi i vizave për shtetasit e Republikës së Shqipërisë. Si arsyetim e kishte përmendur rrezikun që shtetasit e Shqipërisë të përfshirë në krim të organizuar në Holandë paraqesin për sigurinë kombëtare të këtij vendi.

Por, Komisioni Evropian e kishte hedhur poshtë këtë kërkesë. /REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *