Shpërthimi në Prizren, dy të dyshuar ende në kërkim
Mëngjesin e të mërkurës në tregun e kafshëve në Prizren është hedhur një mjet shëprthyes.
Sipas Policisë, ky mjet është hedhur nga persona të dyshuar pas një mosmarrëveshje dhe konflikti fizik, ku kanë mbetur të lënduar 10 persona.
Aktualisht, lidhur me rastin është arrestuar një person, ndërsa dy të tjerë vazhdojnë të jenë në kërkim.
Zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi tha se të dyshuarit janë identifikuar por ende janë në kërkim.
“Një i dyshuar është arrestuar dhe dy të tjerë janë në kërkim, por janë identifikuar”, tha Bytyqi.
Për këtë shpërthim, Policia ka dhënë detaje përmes raportit 24 orësh.
“Prizren / 22.11.2023 – 04:50. Është raportuar se në datën dhe lokacionin e lartcekur mes disa personave ka ndodhur një mosmarrëveshje dhe konflikt fizik ku persona të dyshuar kanë hedhur një mjet shpërthyes. Si pasojë e shpërthimit lëndime trupore kanë pësuar dhjetë persona. Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me rastin njëri nga të dyshuarit është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Në lidhje me rastin janë ndërmarrë veprimet policore operative dhe hetimore për procedurat e mëtejme”, thuhet në njoftim.