Rritja e madhe e çmimeve në Kosovë, qytetarët ankohen se është rënduar jeta
Rritja e vazhdueshme çmimeve të produkteve esenciale ka rënduar jetën e qytetarëve.
Shumë prej tyre ankohen se me pagat që marrin e kanë të vështirë të mbulojnë nevojat më elementare për jetë.
‘’Në krahasim me jetën qysh janë pagat e pensionet e ulëta shumë janë çmimet e larta, edhe kjo po shkon në trend, veq po rriten. Jeta është ba shumë e shtrenjtë ‘’, tha një qytetar
‘’boll janë rrit çmimet, tepër. Shtir e kanë boll, shtir e kanë boll po çka me ba duhet me vazhdu’’, tha një tjetër qytetar
Përfaqësuesi i organizatës ‘’Konsumatori’’ Selatin Kaçaniku, thotë se në tregun e Kosovës vërehet një tendencë e vazhdueshme për manipulim të çmimeve nga tregtarët.
‘’Nuk do e veçoja se kemi ngritje te çmimeve vetëm në kuadër të festave, kemi tregti të shkathet, qe na e kanë mundësua që të gjitha 365 ditët të i kemi festa, të ashtu quajtura aksione, të ashtu quajtura, të premte të bardha, të zeza, të larme. Nga të gjitha legjislaturat qeveritare, kemi marr përgjigjeje se tregu është dhe na qenka rregullator i çmimeve… deri sa të vazhdojë ky tabllek, do ta them gjithmonë se ne për fat të keq nuk kemi treg të lirë, nuk kemi treg vendor, nuk kemi rregullativ të ashtu quajtura treg, pra nuk kemi treg që është rregullator çmimesh… ne jemi fajtor për problemet me çmimet, sepse nuk lejojmë që të krijohet rregullator që quhet treg’’, tha Kaçaniku
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se rritja e çmimeve në treg është pasojë e çmimit të lartë të importit të mallrave.
‘’Në disa raste, importuesit tanë po janë të varur edhe mallit që po e blejnë jashtë ose lëndës së parë ose gjysmën produkti, ku inflacioni e ka ba të vetën, ata e blejnë me çmim ma të shtrenjte, andaj do duhet edhe ta shesin ma shtrenjtë, mirpo nuk kemi pas ndonjë ankes që ka një rritje të pa arsyeshme’’, tha Rafuna.
Sipas agjencisë së statistikave të Kosovës, krahasuar me muajin nëntor të vitit të kaluar, çmimet janë rritur për 2,9 %.
‘’Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë tek: pemët (19,4%), perimet (16,1%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (10,8 %), sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat (7,7%), prodhimet ushqimore (7,0%), pijet alkoolike, duhani (5,9%), buka dhe drithërat (3,5%), dhe mishi (1,2%).’’
Teksa në Kosovë çmimet po ngritën vazhdimisht, në disa vende evropiane është shënuar ulje e çmimeve. Sipas të dhënave zyrtar të Gjermanisë, në këtë shtet në muajin nëntor çmimet janë ulur për 3.6%./RTV21