Ngrihet aktakuzë ndaj arkëtares së spitalit të Prizrenit, dyshohet se një pjesë të parave e mori për vete
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurës F.G. nga Prizreni, e cila dyshohet se në cilësinë e arkëtares në spitalin rajonal të Prizrenit vodhi para.
Ajo po ngarkohet me veprën penale “Përvetësimi në detyrë” meqë nuk deponoi shumën e plotë të të ardhurave të spitalit, por një pjesë e kishte mbajtur për vete.
“Sipas aktakuzës, e pandehura si person zyrtar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përvetëson pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës apo pozitës së saj, në atë mënyrë që në cilësinë e Zyrtares financiare dhe të arkëtares, në Spitalin e Përgjithshëm “Prim.Dr Daut Mustafa”, në Prizren, prej periudhës kohore 28.06.2022 e deri me datë 12.08.2022 prej reparteve të Oftalmologjisë, Dializës dhe Emergjencës, në arkë ka inkasuar para në vlerë prej 36,143.38 euro euro ndërsa në xhirollogarinë e Spitalit ka deponuar vetëm 31,385.00 Euro dhe kësisoj ka përvetësuar shumën prej 4,758.38 euro dhe për shumën e njëjtë i ka shkaktuar dëm financiar Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa”, në Prizren”, tha prokuroria.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, e pandehura e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit.