Malishevë: Babai tenton ta shes tokën e vet, djali nuk e lejon dhe i shkakton aksident me veturë
Policia e Kosovës ka raportuar se ka arrestuar një të dyshuar pasi aksidentoi me makinë babanë e tij.
Rasti ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Malishevë.
Sipas njoftimit të policisë, babai i të dyshuarit kishte dashur ta shes tokën e vet, por djali i tij e ka penguar këtë gjë.
Si pasojë e kësaj, i dyshuari ka dëmtuar pronën në fjalë dhe ka goditur me veturë automjetin të cilin po e voziste babai i tij, përderisa ishte nisur për ta denoncuar të birin në stacion policor.
Viktima është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa djali është dërguar në mbajtje.
Njoftimi i plotë:
DHUNË NË FAMILJE &ASGJËSIM APO DËMTIM I PASURISË- Malishevë 13.02.2024-17:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka penguar viktimën mashkull kosovar-babanë e tij që të bëjë shitjen e një prone (të viktimës) duke dëmtuar pronën dhe po ashtu dyshohet se ka shkaktuar edhe aksident trafiku me veturë, duke e goditur veturën të cilën ishte duke e drejtuar viktima pasi që ishte nisur në drejtim të stacionit policor për ta denoncuar të dyshuarin. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.