Lidhja me urën e re, hapet segmenti tre kilometra i aksit Kukës – Morinë
Segmenti tre kilometra i aksit Kukës-Morinë, pjesë e Rrugës së Kombit nga mbikalimi i Gostilit deri te ura e Kukësit është hapur për qarkullimin e mjeteve.
Konstrukti metalik i urës së re mbi Drin, tashmë është pozicionuar në bazamentin përfundimtar të saj ndërsa po punohet për montimin e pjesëve dhe vendosjen e shtresave të nevojshme drejt përmbylljes së projektit dhe vënien në funksion të plotë brenda muajit qershor, e gatshme për sezonin e verës.
I gjithë trafiku i mjeteve nga Shqipëria drejt Kosovës dhe anasjelltas, përgjatë tri javëve u devijua në qytetin e Kukësit përmes tri hyrjeve dhe një dalje.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, nuk u shënuan incidente që kishin të bënin me pengesa në qarkullim për shkak të fluksit, ndërsa u arrit të mirëmenaxhohej siç duhet e me një orar të paracaktuar për mjetet e vogla dhe ato të transportit të mallrave.
Ura e Madhe lidh Rrugën e Kombit dhe dy brigjet e liqenit të Fierzës dhe konsiderohet si një nga urat me hapësirën më të madhe në Ballkan në tipologjinë e saj.