Një 60 vjeçar nga Novi Pazari vdes në një hotel në Prizren, po qëndronte aty bashkë me gruan – dyshohet për sulm në zemër
Një 60 vjeçar, boshnjak nga Novi Pazari i Serbisë, ka vdekur sot derisa po qëndronte në një hotel të Prizrenit bashkë me gruan e tij. Sipas mjekut nga vendi i ngjarjes, ai dyshohet se ka pësuar sulm në zemër.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Me datë 04.05.2024 rreth orës 11:46 policia është informuar se në rrugën “Milan Shuflaj” në Prizren, konkretisht në një hotel një person ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes ka arritur patrulla policore, eprorët dhe hetuesit e Stacionit Policor Prizren. Në vendin e ngjarjes ishte ekipi mjekësor i Emergjencës të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Viktima është M. A. i lindur në vitin 1964 nga Novi Pazari, kombësia Boshnjak/Republika e Serbisë. Sipas mjekut nga vendi i ngjarjes dyshohet se i njëjti ka pësuar sulm në zemër. Personi i cili ka ndërruar jetë ishte me bashkëshorten e tij, gjithashtu nga Novi pazari, Republika e Serbisë”.
Viktima ishte mysafir i hotelit që nga data 1 maj 2024, ka shtuar Bytyqi.
“Në vendngjarje kanë dalë edhe hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve nga Prizreni si dhe me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa hapet rast si “Vdekje e dyshimtë”.