Prokuroria në Prizren: Aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj dy zyrtarëve të Suharekës
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.B., dhe B.K., të cilët ngarkohen se në cilësinë e personave zyrtarë në Suharekë, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Sipas aktakuzës, “të pandehurit B.B., dhe B.K., prej datës 22.05.2018 e deri me datë 22.10.2018, në Suharekë, në cilësinë e personave zyrtar, i pandehuri B.B. në cilësinë e Menaxherit të kontratës, për projektin: “Ndërtimi dhe renovimi i objekteve sportive dhe kulturore”, i pandehuri B.K. në cilësinë e Mbikëqyrësit të projektit të njëjtë, i kanë tejkaluar detyrat e tyre zyrtare lidhur me këtë projekt, ashtu që në kundërshtim me nenin 61 të Rregullave dhe udhëzuesit operativ të Prokurimit Publik, pa miratimin e zyrtarit kryesor administrativ – kryetarit të Komunës së Suharekës, i pandehuri B.K., ndryshon, ndërsa i pandehuri B.B., i aprovon paramasat dhe parallogaritë gjatë ekzekutimit të punimeve, ashtu që në poligonet sportive në fshatin Peqan, Sllapuzhan dhe Buzhalë, në vend të rrethojave të poligoneve sportive me profil metalik të plasitifikuar ndryshojnë paramasat në rrethoja – profile metalike të zinkuara, në poligonin sportiv në fshatin Buzhalë, ndryshojnë paramasën dhe parallogarinë ashtu që në vend të shtrimit të fushës sportive me beton, bëjnë shtrimin e fushës sportive me bar natyror”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast thuhet se Komunës së Suharekës i shkaktojnë dëm material në shumën prej 6 mijë e 839 euro e 42 centë, ndërsa operatorit ekonomik me seli në Prishtinë, i mundësojnë përfitim të dobisë materiale në shumë prej 6 mijë e 839 euro e 42 centë.
Me këtë, sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të njëjtit, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, pika 2.1 e lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftim.