Arrestohet edhe një i dyshuar për rastin e 26 vjeçarit në Prizren që u ther për vdekje
Është arrestuar edhe një person si i dyshuar në rastin e vrasjes së 26 vjeçarit në Prizren.
Policia, përmes raportit 24 orësh, ka njoftuar se ai është dërguar në mbajtje.
“LËNDIM I RËNDË TRUPOR- Prizren 06.07.2024-23:50. Lidhur me rastin, është identifikuar dhe arrestuar edhe një i dyshuar mashkull kosovar dhe i njejti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”
Ndërkaq dje Policia e Kosovës ka thënë se i arrestuari, H.B 29 vjeç, dyshohet për “Lëndim të rëndë trupor”, “Mosdhënia e ndihmës” dhe “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.
“Njësiti i hetimeve rajonale të policisë ne Prizren me datën 08.07.2024,përmes rrugëve operative ka arritur që të lokalizoj dhe arrestoj të dyshuarin: H.B (viti i lindjes 1995), mashkull kosovar shqiptar).”
“Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjtit ka qenë i përfshirë në një rast Lëndim i rëndë trupor nga neni 186,pargrafi 5,Moasdhenja e ndihmës neni 188 paragrafi 4 si dhe Moslajmërimi i veprave penale apo kryeseve të tyre neni 378,par.1.pika 1.3,i cili ka ndodhur me datën 06.07.2024, në lagjen Bazhderana ne Prizren..I dyshuari është shoqëruar ne SRH-Prizren, ku ne prani te avokatit mbrojtës është intervistuar. I dyshuari, ka qene ne dijeni për veprën penale si dhe kryerësin e veprës penale, i njëjti nuk e ka lajmëruar veprën penale si dhe kryesin e saj, po ashtu nuk i ka ofruar ndihme viktimës. Ne lidhje me rastin ne cilësinë e provave materiale është sekuestruar një automjet me targa vendore, pronë e te dyshuarit H.B.”
Ai është ndaluar për 48 orë.
Auron Thaqi, të shtunën është dërguar në spitalin e Prizrenit në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është gjetur i shtrirë në rrugë, i sulmuar me thikë nga persona të paidentifikuar. Sipas policisë ata e kanë sulmuar, e kanë hedhur nga vetura në rrugë dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur.
“LËNDIM I RËNDË TRUPOR- Lagja Bazhderhane, Prizren 06.07.2024 – 23:50. Viktima mashkull kosovar, është dërguar në spitalin e Prizrenit në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi që i njëjti është gjetur i shtrirë në rrugë i sulmuar me thikë (mjetë të mprehtë) nga persona ende të pa identifikuar të cilët pasi e kanë sulmuar, nga vetura e tyre e kanë hedhur në rrugë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Rasti vazhdon të hetohet.”
Mbrëmjen e së dielës, 26 vjeçari ka vdekur në QKUK. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi.
“Sot me datë 07.07.2024 rreth orës 21:00 nga reparti intensiv i QKUK-s policia është njoftuar se viktima A.Th., mashkull, 26 vjeçar ka ndërruar jetë”, tha ai të dielën.
Ndërsa dje në raportin e Policisë u bë e ditur se është arrestuar një person, shtetas i Turqisë.
“LËNDIM I RËNDË TRUPOR- Prizren / 06.07.2024 – 23:50. Në lidhje me rastin, më 07.07.2024 gjersa ishte në tretman mjekësor në QKUK, ka ndërruar jetë viktima mashkull Kosovar. Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull shtetas i Turqisë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për autopsi, kurse i dyshuari është dërguar në mbajtje.”
Për rastin është deklaruar edhe Prokuroria Themelore në Prizren. Zëdhënësja Fitore Mehmeti, në një përgjigje, dje tha se i dyshuari, E.A., është në ndalim 48 orësh për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Ajo tha se brenda afatit ligjor do të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.
Lidhur me motivin e ngjarjes dhe nëse ka të dyshuar tjerë, Mehmeti tha se nuk mund të japë detaje në këtë fazë për shkak të ndjeshmërisë së rastit.
“Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari me inicialet E.A. (shtetas turk), i cili me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh. I njëjti, dyshohet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 186, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 3 dhe paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Për të dyshuarin E.A., prokuroria brenda afatit ligjor, do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit. Rasti është duke u hetuar nga prokuroria në bashkëpunim me policinë. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, në këtë fazë nuk mund t’ju japim detaje tjera”, tha Mehmeti.