Trupi i pajetë i Faton Hajrizit sillet në Kosovë
Trupi i pajetë i Faton Hajrizit ka arritur në Kosovë në orët e para të së premtes.
Vetura me të cilën po transportohej trupi i Hajrizit arriti në Merdar rreth orës 02:00.
Avokati i angazhuar nga familja Hajrizi, Arianit Koci, ka thënë se trupi i është dorëzuar IML-së, prokurorisë dhe Policisë si dhe do të ketë ekzaminime shtesë.
“Trupi i është dorëzuar Institutit të Mjekësisë Ligjore, prokurorit dhe Policisë së Kosovës. Ata vazhdojnë tash me procedurat e mëtutjeshme. Do të ketë ekzaminime shtesë, është në kompetencë të prokurorit, besoj deri të hënë apo të martën do të kryhen të gjitha. Gjitha dokumentet që kam pasur ia kam dorëzuar prokurorisë sonë, policisë, kështu që kemi pasur një koordinim të shkëlqyer. Shumë na ka ndihmuar Zyra e Kosovës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Punëve të Jashtme”, ka thënë Koci në një prononcim për media në Merdar.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se Prokuroria e Qarkut të Beogradit në Serbi, ka dhënë lejë për tërheqjen e trupit të pajetë të Faton Hajrizit, që u vra në Lloznicë.
Avokati i autorizuar nga familja Hajrizi, Arianit Koci ka thënë se i vrari në Llozicë të Serbisë më 19 korrik është Faton Hajrizi.
Avokati Koci ka thënë se ka parë trupin e Hajrizit.
Konstatimi erdhi pas strishos së pështymës së dhënë të nënës së Faton Hajrizit, e dorëzuar në fund të muajit korrik.
Hajrizi, që ishte arratisur nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë më 6 korrik, u bë i dyshuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në orët e para të 18 korrikut në Lloznicë.
Pas rreth 40 orësh kërkimesh, Faton Hajrizi është lokalizuar dhe vrarë nga policia serbe.
Pas vrasjes së tij mediat serbe kanë dhënë disa versione se si u lokalizua Hajrizi. Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq tha se ai i rezistoi arrestimit duke shkrepur 9 plumba në drejtim të policisë serbe.