Bie çmimi i naftës në bursën ndërkombëtare

Çmimet e naftës shënuan rënie të hënën, pasi frika për kërkesë më të dobët nga importuesja kryesore, Kina, pati ndikim në treg, ndërsa investitorët u përqendruan në përparimin e bisedimeve për armëpushim në Lindje të Mesme, që mund ta ulin rrezikun për furnizim.

Çmimi i një fuçie të naftës së papërpunuar në bursën “Brent” shënoi rënie për 45 centë ose për 0,56 për qind. Çmimi i një fuçie naftë të papërpunuar në bursën WTI ra për 58 centë ose për 0,76 për qind, raporton agjencia “Reuters”.

Çmimet në të dyja këto bursa shënuan rënie për gati 2 për qind të premten e kaluar, pasi investitorët i ulën pritshmëritë për rritje të kërkesës nga Kina, por javën e përfunduan kryesisht me nivele të pandryshuara nga një javë më parë, pasi një grumbull i të dhënave nga ShBA-ja javën e kaluar treguan se inflacioni po zbutej dhe shpenzimet në shitjet me pakicë ishin të fuqishme.

“Shqetësimet e qëndrueshme për kërkesën e ngadalshme nga Kina çuan në likuidim” – tha Hiroyuki Kikukawa, drejtor i “NS Trading”, njësi e kompanisë “Nissan Securities”, duke shtuar se një faktor tjetër ishte afrimi i fundit të kulmit të periudhës së vozitjeve në Shtetet e Bashkuara.

“Prapëseprapë, tensionet në Lindje të Mesme dhe eskalimi në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë, që paraqesin rreziqe ndaj furnizimit, po e mbështesin tregun” – tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *