Zyrtare: Enver Hoxhaj është kandidat i PDK-së për kryeministër

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili  ka konfirmuar se kandidat i PDK’së për kryeministër do të jetë ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj partie Enver Hoxhaj.

“Sot jam i lumtur që qytetarëve të Republikës së Kosovës t’jua shpalos vendimin e Partisë Demokratike të Kosovës se Kandidati i saj për Kryeministër është Kryetari në Detyrë, Profesor Enver Hoxhaj. Hoxhaj, përpos karrierës së tij akademike, ka një përvojë të gjatë institucionale e politike. Ai ka punuar gjatë dhe afër me dy burrështetasit që sot nuk i kemi këtu, Z. Kadri Veseli dhe Z. Hashim Thaçi, duke realizuar aspiratat e qytetarëve për pavarësi e shtet-ndërtim”, ka thënë Ismaili, në një konferencë për media.

Deklarata e plotë e tij:

Të nderuar qytetarë,

Të nderuara media, mirë se keni ardhur!

Partia Demokratike e Kosovës ka mirëpritur mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Për më shumë se një vit, që nga zgjedhjet e kaluara, kemi pasur një maltretim politik dhe keqqeverisje, nga të gjitha partitë politike të përfshira në Qeveri, që kishte pasoja direkte për qytetarët dhe ekonominë e Kosovës.

Nga dy Qeveritë, Hoti dhe Kurti, kemi parë dështime të njëpasnjëshme në relacion me pandeminë, ekonominë, si dhe në përballje me Serbinë, pasojat e të cilave i kemi vuajtur si shoqëri.

Viti 2020, pa asnjë dyshim, ishte i rëndë për ekonominë  tonë. Mijëra punëtorë mbetën pa punë,  e mijëra ndërmarrës pa përkrahje.

Ishte vit i rëndë për shëndetësinë dhe personelin shëndetësor. Ndonëse në vijën e parë të frontit në përballje me pandeminë, ata nuk patën përkrahje nga asnjëra Qeveri, duke i lënë të vetëm, si personelin shëndetësor, ashtu edhe pacientët, në këtë betejë të vështirë.

Ishte vit i rëndë për arsimin, sportin, artin, të rinjtë, të moshuarit. Për secilin.

Ishte vit degradues për agjendën shtetërore të Republikës së Kosovës.

Dhe, Qeveritë Hoti e Kurti – çdo dështim të tyre ia faturuan pandemisë.

Në fakt, pandemia është treguesi më i qartë i mungesës së vizionit, përvojës dhe përkushtimit të tyre për t’ju dalë në ndihmë qytetarëve.

Pandemia është pasqyra më reale e paaftësisë së tyre.

Për një vit, arritën të krijojnë një kaos institucional dhe një konfuzion qytetar, duke shtyrë përpara agjenda partiake dhe duke lënë prapa interesin qytetar.

Pas një viti rraskapitës, të rëndë, e politikisht të menaxhuar keq nga ata që qeverisën, është lajm i mirë për qytetarët që këtij degradimi po i vjen fundi.

Një lajm që e bën shkëputjen nga ajo çfarë pamë për një vit.

Prandaj, sot jam i lumtur që qytetarëve të Republikës së Kosovës t’jua shpalos vendimin e Partisë Demokratike të Kosovës se Kandidati i saj për Kryeministër është Kryetari në Detyrë, Profesor Enver Hoxhaj.

Z. Hoxhaj, përpos karrierës së tij akademike, ka një përvojë të gjatë institucionale e politike.

Ai ka punuar gjatë dhe afër me dy burrështetasit që sot nuk i kemi këtu, Z. Kadri Veseli dhe Z. Hashim Thaçi, duke realizuar aspiratat e qytetarëve për pavarësi e shtet-ndërtim.

Partia Demokratike e Kosovës, po ashtu, hyn në këto zgjedhje me një program të qartë për nevojat e qytetarëve, dhe me një ekip të gatshëm për rimëkëmbjen ekonomike dhe politike të vendit.

Partia Demokratike e Kosovës, me kandidatin e saj për Kryeministër, Enver Hoxhaj, do konfirmohet si forca më e madhe politike në vend dhe do të dëshmohet edhe një herë si e vetmja që di të qeverisë dhe në qendër të qeverisjes së saj do të jetë qytetari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *