Nivel i ri i pagës minimale: 2 euro për orë punë të rregullt apo 350 euro bruto në muaj, në fuqi nga tetori
Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin që niveli i ri i pagës minimale të jetë 2 euro për orë për punë të rregullt apo 350 euro bruto në muaj për punë me orar të plotë.
Kryeministri Albin Kurti tha se paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi, derisa shtoi se kjo është rritja e dytë brenda këtij mandati qeverisës.
Sipas Kurtit, nga kjo rritje preken mbi 150 mijë të punësuar, kryesisht të sektorit publik.
“Me hyjen në fuqi të Ligjit për Pagën Minimale, më në fund u hap rruga që edhe zyrtarisht të rritet paga minimale pas një pritje prej 13 vjetësh. Ndërkaq sot do të shqyrtojmë propozimin e Ministrisë së Punës, Financave dhe Transfereve që niveli i ri i pagës minimale të jetë 2 euro për orë punë të rregullt apo 350 euro bruto në muaj për punë më orar të plotë. Paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi. Kjo është rritja e dytë e pagës minimale brenda këtij mandati qeverisës”, deklaroi Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Ministri I Financave, Hekuran Murati bëri me dije se kjo pagë do të hyjë në fuqi nga 1 tetori.
“Do të hyjë në fuqi nga data 1 tetor që t’u japim kohë organizatave dhe bizneseve t’i bëjnë përshtatjet e nevojshme”, tha Murati.