Ngritet aktakuzë ndaj shtatë personave në Prizren,Kontrabandonin 10 deri në 15 migrantë në ditë me tarifë nga 45 deri në 500 euro
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve S.G., A.H., H.A., O.A., M.H., A.B., dhe M.R., për veprat penale “Kontrabandimi me migrantë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer këto veprime të paligjshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokuroria njofton se “nga fillimi i muajit mars të vitit 2023, e në vazhdim deri në ditën e arrestimit, të pandehurit S.G., A.H., dhe M.R., organizojnë dhe drejtojnë veprat penale të kontrabandimit me migrantë”, në atë mënyrë që të njëjtit i drejtojnë këta të pandehur dhe bëjnë organizimin e kontrabandimit të migrantëve sirian dhe migrantëve nga shtetet tjera arabe, duke i përcjellë të njëjtit rrugëve ilegale për t’i futur nga territori i Shqipërisë në territorin e Kosovës, dhe nga territori i Kosovës në territorin e Serbisë.
Sipas aktakuzës, ata kanë kontrabanduar nga 10 deri në 15 migrantë në ditë nga territori i Shqipërisë në Kosovë, me një tarifë prej 500 euro për kalimin nga Shqipëria në Serbi, dhe nga 45 deri në 100 euro për transportin brenda Kosovës.
“Gjithashtu, të pandehurit A.H., M.H., H.A., O.A., dhe H.M., nga fillimi i muajit mars të vitit 2023, e në vazhdim deri më 20.06.2023, merren me kontrabandim me migrantë, duke i pranuar migrantët kryesisht arab dhe të shteteve aziatike , nëpërmes rrugëve malore, i kalojnë në territorin e Republikës së Kosovës, ku të njëjtit i grumbullojnë në afërsi të xhamisë së fshatit Vërmicë, ose në afërsi të urës e cila gjendet në autostradë afër fshatit Vërmicë, ku i priste i pandehuri M.H., dhe taksistët të cilët me kombi dhe me vetura udhëtarësh, migrantët e kontrabanduar i transportojnë nga aty, nëpër territor të Republikës së Kosovës.
Pastaj i pandehuri M.H., dhe taksistët të cilët i kishte siguruar ai, i transportojnë më tej deri në afërsi të pikë-kalimit kufitar të Jarinjes, dhe me ndihmën e kontrabandistëve e kalojnë kufirin Kosovë-Serbi, jashtë pikë-kalimit kufitar në mënyrë të paligjshme, kundrejt një përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare,” thekson komunikata e Prokurorisë.
Përveç akuzave për kontrabandim, Prokuroria njofton se “në datën 19.06.2023, në mesnatë, në Prishtinë, të pandehurit S.G., A.H., H.A., dhe O.A., kanë poseduar armë në kundërshtim me ligjin,” duke përfunduar me gjetjen e tri armëve zjarri dhe një numri të konsiderueshëm fishekësh gjatë kontrollit nga Policia e Kosovës.
Në lidhje me rrezikun për jetën e individëve, Prokuroria njofton se “i pandehuri O.A. shkakton rrezik të madh për jetën e personave që kanë qenë brenda banesës,” duke shtënë me armë në drejtim të tokës në dhomën e banesës.
Prokurori i çështjes ka propozuar që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.