Operacioni “007”, sekuestrohen mbi 10 kilogramë kokainë në vlerë 450 mijë euro
Policia e Kosovës ka sekuestruar mbi 10 kilogramë kokainë në një operacion të zhvilluar të hënën në magjistralen Fushë Kosovë-Prishtinë.
Sipas njoftimit për media, policia gjegjësisht, Drejtoria e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë kishte ndaluar një veturë të dyshuar për trafikim me substanca narkotike.
Gjatë operacionit policor të koduar “007”, Policia e Kosovës ka ndaluar një veturë të dyshuar me targa vendore, të cilën e drejtonte personi i dyshuar Z. J., shtetas kosovar, ku gjatë kontrollit të veturës së tij, në bagazh janë gjetur 10 kilogramë e 224 gramë, substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me vlerë të tregut 450,000 euro.
“Lidhur me rastin, në koordinim dhe me urdhër të prokurorit kompetent të krimeve të rënda, është kryer bastisje në shtëpinë e personit të dyshuar në komunën e Graçanicës”, thuhet në njoftim.
Gjatë këtij operacioni policor në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar:
-10 kilogramë e 224 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë,
-një veturë me targa vendore,
-1445 euro,
-8970 dinarë
-dy telefona celularë,
-17 kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave të konfiskuara nga Dogana e Republikës së Kosovës.
“Në konsultim me prokurorin kujdestar i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është inicuar rasti për veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge’”, thuhet në në njoftim.