Aktakuzë për lëndim të rëndë trupor me pasojë vdekjen nga Prokuroria e Prizrenit
Prokuroria Themelore në Prizren, përmes zyrës së saj për infomim, njofton se Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve E.A., (shtetas turk), dhe H.B., (shtetas kosovar), të cilët gjenden nën masën e paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprat penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 186, par.5 lidhur me par.3, pika 3.2 lidhur me par.2, pika 2.1, “Mosdhënia e ndihmës” nga neni 188, par.4 lidhur me par.1 si dhe veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre” nga neni 378, par.1, pika 1.3 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, i pandehuri E.A., me datë 06.07.2024, rreth orës 23:50 min, në Prizren, me anë të mjetit të rrezikshëm, i shkakton lëndim trupor personit tjetër dhe për pasojë shkakton vdekjen e tij, në atë mënyrë që paraprakisht takohen me viktimën A.Th., nga Prizreni në lagjen ‘’Kurillë’’, me ç’rast viktima ia kërkon telefonin të pandehurit me qëllim që ta njoftojë shokun e tij – të pandehurin tjetër H.B., dhe pasi që ky i fundit vjen me veturën e tij në lokacionin në fjalë, i pandehuri ulet në ulësen e pasme të automjetit, derisa viktima në ulësen e përparme dhe pas një konfrontimi verbal me njëri – tjetrin, dalin nga vetura, me ç’rast i pandehuri me përdorimin e një mjeti të mprehtë, e godet viktimën në pjesën e përparme të këmbës, duke i shkaktuar plagë therëse, të konstatuara si në Raportin e Autopsisë – të datës 31.10.2024, dhe largohet nga vendi i ngjarjes, ku për pasojë, viktima nga plagët e pësuara, pasi fillimisht pranon ndihmën mjekësore pranë Qendrës Emergjente në Prizren, dërgohet më pas pranë QKUK-së në Prishtinë, ku si pasojë e shokut hemorragjik edhe ndërron jetë. Me këto veprime, i pandehuri E.A., ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” sipas KPRK-së.
Ndërsa, i pandehuri H.B., me datë 06.07.2024, rreth orës 23:55 min, në Prizren, nuk i ofron ndihmë personit, jeta e të cilit ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë, edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madh për veten, në atë mënyrë që pasi ishte duke e bartur viktimën A.Th., në veturën e tij, duke e ditur se ky i fundit ishte plagosur rëndë me mjet të rrezikshëm nga i pandehuri E.A., nuk e dërgon të njejtin pranë ndonjë institucioni të kujdesit shëndetësor, e lejon të dalë nga vetura dhe e lë në rrugë – në afërsi të rrethit të lagjes “Bazhdërhane” në Prizren dhe vazhdon rrugën me veturën e tij në drejtim të lagjes “Ortakoll”, ku si pasojë e plagëve të pësuara, përkatësisht si pasojë e shokut hemorragjik viktima edhe ndërron jetë pranë QKUK-së në Prishtinë.
Po ashtu, i njëjti duke qenë në dijeni për identitetin e kryesit të veprës penale të lëndimit të rëndë trupor, nuk e njofton organin kompetent për një fakt të tillë, në atë mënyrë që pasi ka qenë në dijeni si dëshmitar okular në kryerjen e veprës penale nga E.A., megjithatë refuzon që ta njoftojë policinë apo organin tjetër kompetent lidhur kryerjen e veprës penale dhe identitetin e kryesit të saj. Në këtë mënyrë, i pandehuri H.B., ka kryer veprat penale “Mosdhënia e ndihmës” dhe “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.