Qytetarët “rrasen” në kredi: Si shkoi viti 2024 për popullin e Kosovës?
Viti 2024 tashmë i takon të kaluarës. Megjithatë, qytetarët do të vazhdojnë ta ndiejnë vitin që iku, pasi më 2024 u rritën kreditë. Obligimet kreditore të vitit 2024 do t’i karakterizojnë jetët e mijëra kosovarëve në vitin 2025. Pra do të jetë një e kaluar që do të gjallojë edhe në të tashmen, e kaluar që nuk do të ikë. Ndërsa fitimi i bankave edhe këtë vit ishte goxha i lartë. Gjatë vitit 2024, shuma totale e kredive në Kosovë është rritur për 15.7 për qind. Si shkoi viti 2024 për popullin kosovar?
Në një konferencë të fundvitit, ditë më parë BQK-ja njoftoi se tashmë 5.6 miliardë euro është shumë e përgjithshme e kredive në Kosovë. Në konferencë, Ahmet Ismaili, guvernator i BQK-së, ka treguar se kreditë kanë shënuar një rritje prej 768 milionë euro.
“Gjithsej, kreditë në nëntor 2024 kanë arritur shumën prej 5.668 miliarda euro, duke shënuar një rritje prej 768.9 milionë euro ose 15.7% krahasuar me dhjetorin e vitit 2023. Ndërsa, depozitat vazhdojnë të jenë burimi kryesor i financimit të kredive. Gjithsej, depozitat në nëntor të këtij viti kanë arritur në 6.586 miliarda euro, duke shënuar një rritje prej 448.5 milionë euro ose 7.3% krahasuar me dhjetorin e vitit 2023. Kjo rritje i atribuohet rritjes së normave të interesit në depozita dhe konkurrencës më intensive midis bankave për tërheqjen e depozitueseve” – kishte thënë Ahmeti.
Po ashtu, edhe remitencat janë rritur gjatë vitit 2024.
“Remitancat kanë arritur në 1.1 miliardë euro deri në tetor, dhe ne presim që të mbyllen në 1.3 miliardë euro. Ky ishte viti i parë me liberalizimin e vizave, dhe prandaj e kemi pritur një ngjarje të tillë” – kishte theksuar Ahmeti.
Ndërsa sektori që ka shënuar rritje edhe këtë vit është sektori bankar. Që nga pandemia e tutje, fitimi i bankave është në një rritje të përvitshme.
Edison Jakurti, njohës i çështjeve ekonomike, ditë më parë e përktheu fitimin e bankave në për qindje. Sipas tij, në vitin 2023 në krahasim me vitin 20219, që shënon vitin e fundit para pandemisë së COVID-19, profiti i bankave është rritur për 180 për qind.
Siç shkroi Jakurti në një formë satirike, në sketorin bankar ka ndodhur zhvillim më “i madh ekonomik që na la pa rrymë”.
“Zbulohet sektori ku ka ndodh ky zhvillimi i madh ekonomik që na la pa rrymë – sektori bankar. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, profiti neto (lexo: i pastër) i bankave në Kosovë prej vitit 2000 deri në nëntor 2024 ka qenë mbi 1.4 miliardë euro. 53% e këtij profiti është realizu në periudhën 2000-2019, ndërsa 47% në periudhën 2020-2024. Në vitin 2023, në krahasim me vitin 2019, që është viti i fundit para fillimit të pandemisë, profiti i bankave është rritë për 180%. E deri në nëntor 2024, krahasu me 2019, rritja është 196%. Kur t’përfshihet edhe dhjetori, rritja do t’jetë mbi 200%. Ky po që është zhvillim” – ka shkruar Jakurti.
Sjellim ndër mend që qytetarët e Kosovës gjatë viteve të fundit janë përballur me inflacion, gjë e cila ka ndikuar në koston dhe cilësinë e jetës së kosovarëve.