141 çifte kosovare i dhanë fund martesës në muajin shkurt 2025
Mbi 1 mijë kurorëzime të reja dhe 141 çifte bashkëshortësh që i ndanë rrugët për shkak të mosmarrëveshjeve mes tyre, janë shifrat preliminare në baza mujore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), për muajin shkurt të këtij viti.
“Në muajin shkurt 2025 janë regjistruar gjithsej 1065 kurorëzime (brenda dhe jashtë Kosovës), kurse shkurorëzime të ndodhura në Kosovë janë regjistruar 141 raste“ – thuhet në njoftim.
Këto të dhëna publikohen duke u bazuar në të dhëna administrative.
Sipas dispozitave ligjore mbi udhëheqjen e regjistrave themeltarë për lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet, rastet regjistrohen në mënyrë të obligueshme në regjistrat e lartcekur, në vendin ku ka ndodhur ngjarja, pa marrë parasysh se personat me të cilët lidhet ngjarja, vendbanimin e përhershëm e kanë në atë vend, ose në ndonjë vend tjetër.
Tutje, ASK thot se do të vazhdojë me grumbullimin e të dhënave përmes pyetësorëve të veçantë statistikorë, për lindjet DEM-1, vdekjet DEM-2, kurorëzimet DEM-3, dhe shkurorëzimet SHK-1, sikurse deri më tani.
Grumbullimi i të dhënave vazhdon të bëhet çdo muaj dhe do të shërbejë për krijimin e bazës së të dhënave, si dhe krahasimin me të dhënat administrative.
Burimi i të dhënave të këtij publikimi është Agjencia e Regjistrit Civil të Kosovës (ARC).