Paralajmërohet ngritje “e lehtë” e çmimit të miellit

Kryetari i Shoqatës së Mullistëve, Bashkim Zejnullahu, e vlerëson të padrejtë ngritjen e çmimeve pas ngritjes së asaj të energjisë elektrike. Ai ka thënë se situata me rritjen prej 16.1% të çmimit të rrymës po shfrytëzohet për produktet e tjera, por se ngritja më pas nuk është reale.

Zejnullahu në emisionin “Sot” në KTV ka shtuar se do të ketë ngritje të çmimit të miellit, por sipas tij, nuk do të ketë ndikim të madh.

“Sa i përket shtrenjtimit të miellit, sigurisht do të ketë një ngritje të çmimit, por do të jetë ngritje e lehtë, nuk do të ketë ndikim shumë të madh pasi energjia elektrike në çdo përpunim ka pjesëmarrjen e vet. Sa është pjesëmarrja e energjisë elektrike në përpunimin e grurit dhe në atë pjesë mund të variojmë me çmimin. Por, jo me norma astronomike ku mundohet çdo industri apo dikush ta shfrytëzojë këtë momentum”, është shprehur ai.

Zejnullahu u ka bërë thirrje përpunuesve që të operojnë me çmime reale dhe “të mos përfitojnë nga këto situata në kurriz të qytetarit”.

“Kur flasim për produkt esencial si buka, mielli, nuk është e drejtë që t’i ngrisim çmimet në përmasa pa e pasur të qartë se çfarë ndikimi ka energjia elektrike, sa ka ndikim në përpunimin e çdo produkti”, ka theksuar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *